0-

Na tregoni, ju lutem, mbi planet e përfaqësueses kombëtare të Britanisë së Madhe në Lojërat Olimpike që priten të fillojnë. Si mendoni ju, sa medalje do të arrini të fitoni? Dhe sa prej tyre pritet të jenë medalje ari?

- Ne i kemi vënë vetes pikësynim të fitojmë sa më shumë medalje që të jetë e mundur. Kjo nuk do të jetë e lehtë, para së gjithash, sepse në Lojërat Olimpike në Pekin në vitin 2008 ne zumë një vend mjaft të lartë në tabelën e klasifikimit, duke fituar 47 medalje në 11 lloje sporti. Ky është rezultati ynë më i mirë që nga viti 1924.

- Në cilat lloje sporti ka ndërmend të garojë ekipi juaj olimpik?

- Kemi bërë kërkesë për të marrë pjesë në gjithë 26 llojet e sportit, për më tepër në disa prej tyre ne do të marrim pjesë për herë të parë, si për shembull, në hendboll, në futbollin për femra, basketboll dhe volejboll.

- Sa sportistë do ketë në përbërje përfaqësuesja juaj kombëtare?

- Vetë ekipi i Britanisë së Madhe do të përbëhet nga 550 atletë. Shtoni këtu pothuaj 450 trajnerë, ndihmësit e tyre, administratorët, personelin ndihmës dhe 300 vullnetarë. Si përfundim bëhen 1300 vetë. Britania e Madhe është një prej pesë vendeve, që kanë marrë pjesë në Lojërat Olimpike që nga viti 1896. Ne kemi qenë dy herë organizatorë të Olimpiadës, në fillim më 1908 dhe më pas në vitin 1948. Më duket se jemi i vetmi vend, ku Olimpiada do zhvillohet për të tretën herë.

- Si po i përgatisni sportistët për Lojërat Olimpike?

- Së pari, ne do përpiqemi të zemë ndër vendet e para në të gjitha disiplinat sportive, aty ku ne ia kemi dalë të jemi liderë. Së dyti, shpresojmë të përmirësojmë ato rezultate, atje ku ne nuk kemi arritur të ngjitemi deri në vend të parë. Sepse kemi patur shumë medalje argjendi e bronzi. Këtë vit detyra jonë është të përmirësojmë treguesit dhe të avancojmë lart në tabelën e klasifikimit. Së treti, këtë vit kemi ndërmend të luftojmë për vende të para në ato disiplina, në të cilat Olimpiadën e kaluar ne dolëm në finish vetëm të katërtët, të pestët, apo dhe të gjashtët.

- Cilët mendoni se janë rivalët tuaj kryesorë në Lojërat Olimpike?

- Tre rivalët tanë kryesorë janë: Rusia, Kina, Amerika. Veç kësaj, janë edhe pesë vende që pretendojnë për atë vend në tabelën e klasifikimit, sikurse edhe ne, për të thënë më saktë, nga vendi i katërt deri në të nëntin. Mund të thuhet, se bëhet fjalë, kryesisht, për Australinë, Gjermaninë, Francën dhe Japoninë, të cilat kanë shance të barabarta për fitore.

- Si ka ndërmend t’i presë Londra përfaqësueset kombëtare të vendeve të tjera?

- Do t’i presim krahëhapur. Në Londër flasin në 200 gjuhë. Ne kemi sportdashës të mrekullueshëm. Mendoj, se mysafirëve tanë nuk do t’u mungojë mbështetja, si nga tifozeria, e ardhur posaçërisht në Olimpiadë, ashtu edhe nga sportdashësit vendas.

- Cili nga sportistët britanikë mund të zerë vende të para?

- Mendoj se do të jetë çiklist i shumëdëgjuari Kris Hoe, tre herë kampion olimpik në Olimpiadën e Pekinit. Asokohe ai tregoi rezultate fantastike. Ne kemi besim te ai edhe këtë vit. Midis sportistëve të atletikës së lehtë do të jetë e mirënjohura Paula Redklif. Ajo e ka përfaqësuar tashmë Britaninë e Madhe katër herë në Olimpiada. Shpresojmë të shohim edhe sportisten e atletikës së lehtë Xhesika Ennis, e cila do të garojë në zonën e medaljeve në shtatëgarësh me rusen Tatiana Çernova. Ne shpresojmë, gjithashtu, që vende nderi të zenë Rebeka Elington në not dhe Ketrin Grinzher në kanotazh.

- Ç’domethënie ka për Britaninë e Madhe Olimpiada që pritet të fillojë?

- Më duket, se ky është një shans i madh për përfaqësuesen kombëtare dhe për vendin në tërësi, që të bëhet një shembull për t’i ngjarë. Ne i vlerësojmë Lojërat Olimpike si një mundësi për të ndihmuar infrastrukturën tonë sportive, qofshin këto objekte sportive, mjete, apo për të tërhequr vëmendjen ndaj sportit.