0Shpërndarja e Kuvendit Popullor ndodhi në vigjilje të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Egjipt dhe kishte çdo shans për ta vënë në rrezik atë. Megjithatë, udhëheqja ushtarake ka konfirmuar se raundi i dytë i zgjedhjeve do të zhvillohet në kohën e caktuar, në 16-17 qershor të këtij viti.

Kjo u bë për të mbrojtur Kajron nga aksionet e dhunshme të protestave të iniciuara nga parlamenti, thotë eksperti rus për Lindjen e Mesme bashkëkohore Aleksandër Sotniçenko:

- Pezullimi i veprimtarisë së Parlamentit para zgjedhjeve presidenciale është bërë me qëllim që gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe pas përfundimit të tyre Parlamenti të mos shndërrohet në qendër të protestave anti-qeveritare, sepse Parlamenti kontrollohet nga "Vëllazëria Myslimane" dhe aleatët e tyre në luftën me autoritetet laike ushtarake. Por, sipas ratings, Kryetar i shtetit mund të bëhet me propabilitet të madh ish-Kryeministri Ahmed Shafik (Shafiq), shok idesh i Hosni Mubarak. Shumë njerëz në Egjipt nuk e duan atë dhe një nga qendrat e protestës është bërë tani Parlamenti.

Ish-Kryeministri egjiptian Ahmed Shafik është përfaqësues i pushtetit laik, kurse rivali i tij Mohammed Mursi - kandidat i Organizatës islamike egjiptiane "Vëllazëria Myslimane". Në luftën mes qeverisë laike dhe islamistëve shanset e palëve janë pothuajse të barabarta, mendon Presidentit i Institutit rus të Lindjes së Mesme Eugjeni Satanovski:

- Ushtria i ruan vetes pushtetin dhe, çka është akoma dhe më e rëndësishme, atë pasuri që ajo mori në kuadër të iniciativave legjislative të Hosni Mubarak. Deri më sot në duart e gjeneralëve ndodhen nga 25 deri në 30 për qind të PBB-së Egjiptit - ndërmarrje, biznese, hotele, uzina, fabrika dhe plantacione. Është krejtësisht e qartë se për eprorët e lartë të ushtrisë janë vënë aktualisht shumë gjëra në rrezik. Ushtria nuk është aspak e gatshme për t’i dorëzuar islamikëve gjithë këtë pasuri në kuadër të çfarëdo lloj demokracie qoftë - Perëndimore apo të Lindjes së Mesme - dhe do të luftojë deri në “pikën e fundit të gjakut”për të.

Duke iu drejtuar përkrahësve të tij kandidati i Organizatës "Vëllazëria Myslimane" Mohamed Mursi deklaroi se në historinë e Egjiptit tani ka arritur momenti i një kthese të rëndësishme. Vendimi i ushtarakëve ka shkaktuar një valë të fuqishme zemërimi në Kajro. Megjithatë, shkalla e vërtetë e pakënaqësisë mund të vlerësohet vetëm mbas lutjes të së premtes, pas së cilës dhe fillojnë zakonisht demonstratat masive.

Margarita Bogatova