0Aktualisht në Rusi nuk ka një ligj për produktet qelizore, por “mbretëron abuzimi në përdorimin e lloj-lloj preparateve, të cilat quhen qelizore”, deklaroi Veronika Skvortsova në intervistën për gazetën “Izvestia” ("Известия"). Sipas fjalëve të saj, në 80% të rasteve këto preparate janë të falsifikuara. Pjesa që mbetet prej 20% janë shpeshherë preparate të rrezikshme, të cilat mund të përmbajnë qeliza, që provokojnë formimin e tumoreve. “Ato mund të jenë të infektuara, të pastruara keq dhe të pakontrolluara përkatësisht përmbajtjes së viruseve”, - sqaroi Ministrja në fjalë.

Një punë e tillë “e pistë” me biomaterial diskrediton të gjithë mjekësinë rigjeneruese. Pa arritur akoma të hyjnë në përdorim të gjerë praktik, teknologjitë qelizore kanë fituar tashmë një famë të keqe, skandaloze, duhet thënë. Ka patur raste të përdorimit të paligjshëm të materialit të aborteve apo teknologjive të paregjistruara. Me këtë abuzojnë jo rrallëherë kozmetologët. Preparatet me qeliza staminale (burimore) të rreme përdoren shpesh herë për të "peshkuar" ata njerëz që dëshirojnë me etje të madhe që të rinohen.

Përfitimi nga përdorimi i drejtë i teknologjive qelizore është jashtëzakonisht i madh. Sepse, në fakt, mjekësia rigjeneruese është alternativa e transplantit, dhe potencialisht më pak e kushtueshme dhe e prekëshme nga popullata. Meqenëse dhuruesit e organeve janë përherë të pamjaftueshëm. Rrethi i personave që mund të kurohen me ndihmën e teknologjive qelizore është shumë i gjerë. Këta janë të sëmurët me zemër, diabetikët, të sëmurët me neuroza dhe me sëmundje onkologjike, njerëzit me sëmundje të sistemit kockor.

Mundësitë e aplikimit të teknologjive të qelizave janë kaq të mëdha sot, sa zor se do të mund t’i vinim në rend me anë të një ligji të vetëm, mendon Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Qelizave Staminale të Njeriut Artur Isajev:

- Nuk është e drejtë të miratohet projektligji ekzistues. Ai mbulon vetëm disa sfera të ngushta, që lidhen me teknologjitë e qelizave. Por, sot për sot, nuk ka gjithashtu edhe kërkesa për laboratorë, produkte dhe dhurues. Fillimisht duhen vënë në vijë këto të fundit.

Gjatë përpunimit të ligjit mbi produktet qelizore ia vlen t’i kushtohet vëmendje shembujve nga bota. Megjithëse edhe ata nuk janë të përsosur. Kështu, në SHBA vetëm për marrjen e liçencës për hulumtim, ndonjëherë ikin tre vjet. Sipas Artur Isajevit, si shembull i një politike të arësyeshme, sa i përket teknologjive të qelizës, shërben Britania e Madhe, ku specialistët gjithë durim po i shpjegojnë shoqërisë kuptimin e zbatimit të teknologjive në fjalë.

Në një mënyrë a tjetër, sipas Veronika Skvortsovas, projekt-ligji mbi marrëdhënien ndaj produkteve qelizore, praktikisht është bërë gati. Si përfundim, Ministria e Shëndetësisë synon që në kohën më të afërt të krijojë bazën normative për të gjithë biomjekësinë, marrë në tërësi.

Olga Sobolevskaja