0Fakti që ministri i Jashtëm rus do të vizitojë Iranin u bë i ditur që ditën e shtunë, pas takimit të presidentëve rus dhe iranian në samitin e Organizatës për Bashkëpunim të Shangait (OBSH) në Pekin. Aktivizimi i procesit negociator mes Moskës dhe Teheranit po zhvillohet në sfondin e përpjekjeve që ndërmerren vazhdimisht për minimin e planit të Kofi Annanit të destinuar për zgjidhjen me mjete paqësore të konfliktit sirian. Për Rusisë dhe Iranin ishte i nevojshëm gjithashtu verifikimi i orëve para takimit në Moskë të "Gjashtëshes" së ndërmjetësve ndërkombëtarë për programin bërthamor të Iranit, i cili do të mbahet më 18-19 qershor. Në të do të marrin pjesë Rusia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Kina dhe Gjermania. Irani do të përfaqësohet në të nga Kreu i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare Saeed Jalili. Në këtë takim do të marrë pjesë gjithashtu edhe Shefja e Diplomacisë Evropiane Catherine Ashton.

Takimi në fjalë duhet të bëhet një hap i rëndësishëm në negociatat për programin bërthamor të Iranit, theksojnë në Ministrinë e Jashtme të Rusisë. Moska favorizon metodat diplomatike për zgjidhjen e problemeve në këtë sferë dhe shpreson për vendosjen e një dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë pjesëmarrësve të takimit të Moskës:

- Ne prekëm situatën që ka të bëjë me përgatitjet e takimit të Moskës për shqyrtimin e programit bërthamor të Iranit në mes të grupit "tre plus tre" dhe Zotit Saeed Jalili. Ne besojmë se kolegët tanë iranianë janë të interesuar në gjetjen e marrëveshjeve që do të lejojnë avancimin e mëtejshëm në procesin e negociatave. Ne do të bëjmë gjithçka të nevojshme, në periudhën e mbetur deri në takimin e Moskës, me qëllim që rezultatet e tij të kontribuojnë në arritjen e këtij pikësynimi.

Çështja e zgjidhjes së problemit sirian është dhe një tjetër pjesë e rëndësishme e bisedimeve të zhvilluara. Moska insiston në pjesëmarrjen e Teheranit në Konferencën Ndërkombëtare për Sirinë. Sergei Lavrov vuri në dukje si vijon:

- Ideja jonë për mbajtjen e një konference ndërkombëtare parashikon që në të të ftohen të gjithë lojtarët kryesorë të jashtëm në fazën e parë. Sirianët do të përfshihen në të, në qoftë se kjo ide do të gjejë realizim në jetë, më vonë. Ne supozojmë që të gjithë pjesëmarrësit (ndërsa të tillë do të jetë rreth 15) të thonë sinqerisht: po, ne e kemi mbështetur planin e Kofi Annanit dhe do ta zbatojmë atë. Ndërsa kjo kërkon që secili prej lojtarëve të huaj të përdorë ndikimin e vet mbi këtë apo atë palë siriane, duke i detyruar të gjithë sirianët që të pushojnë ushtrimin e dhunës, siç e kërkon këtë Plani i paqes i Kofi Annanit dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp ministrat e jashtëm theksuan afërsinë e pozicioneve ruse dhe iraniane në lidhje me problemin e Sirisë. Në të njëjtën kohë Lavrov nënvizoi se Moska nuk luan rolin e avokatit të këtij apo atij regjimi të vendeve të Lindjes së Mesme - fjalë bëhet vetëm për respektimin e normave dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Polina Çernica