0Operacioni ushtarak i SHBA-së dhe aleatëve të tyre në Afganistan filloi në vitin 2001 dhe në krye të herës nuk kishte karakter masiv. Më 2003 atë e eklipsoi fushata që nisi në Irak dhe Afganistani “kaloi në hije”. Por ndërsa, fushata në Irak erdhi drejt fundit dhe detyrat për ruajtjen e rendit kaluan tek forcat vendase, fushata në Afganistan as që e ka ndërmend të mbarojë.

Operacioni, që nisi për të garantuar sigurinë në Kabul dhe rrethinat e tij, dalëngadalë u përhap masivisht, por sa herë që ndërmerrej forca doli, se ajo ishte e pamjaftueshme për të arritur fitoren. Sipas shumë ekspertëve, me zgjerimin e pranisë së huaj ushtarake nga 80-120.000 trupa detyrat mund të zgjidheshin në etapën e mëhershme, duke marrë nën kontroll të rreptë gjithë territorin e vendit. Sot, kur rezistenca antiamerikane është në rritje e sipër, 132.000 trupa janë të pamjaftueshme. Zgjerimi i mëtejshëm i pranisë ushtarake nuk është i mundur për shkaqet e brendshme në SHBA, qofshin ato të natyrës ekonomike, apo politike.

Sot SHBA-ja nuk mund të deklarojnë se e kanë nën kontroll territorin e Afganistanit. Madje, edhe atje ku ky kontroll është përmbushur, ai përfaqëson në vetvete një kompromis mjaft të dyshimtë. Ky kompromis spikat më fort në çështjen e luftës kundër narkotrafikut, luftë kjo, e cila, si përfundim, doli të jetë e pamundur për t’u zhvilluar, sepse “ne nuk mund të lejojmë që njerëzit e njërit prej vendeve më të varfëra të botës të mbesin pa mjetet e ekzistencës, pa marrë asgjë në shkëmbim”, deklaroi që në vitin 2010 Zëdhënësi i NATO-s James Appaturay.

Fushata në Afganistan në mënyrë të qartë nuk i arriti qëllimet e saj, bazuar në mandatin e KS-së së OKB-së. Por ndërpreja e saj tani mund të çojë në probleme edhe më serioze në krahasim me ato ekzistueset. Në vitet 1990, kur lëvizja "Taleban" vendosi kontrollin mbi pjesën më të madhe të territorit të Afganistanit, ajo menjëherë filloi “eksportin e destabilitetit” në veri. Liderët e talebanëve më 1999 deklaruan zyrtarisht për mbështetjen e tyre ndaj terroristëve çeçenë, sikurse influenca e tyre veproi fuqishëm në situatën e ish-republikave sovjetike të Azisë Qendrore.

Si argument në “dobi” të talebanëve sillet fakti i ndalimit të mbjelljes së "lulekuqes së opiumit“ ("opium poppy”), ndërkohë që situata në lidhje me këtë ndalim nuk është aspak e thjeshtë. Në pjesën më të madhe të kohës, gjatë qeverisjes së talebanëve, nga viti 1996 deri në vitin 2000, prodhimi i “opium poppy” në vend u rrit nga 2200 ton më 1996 në 4500 ton në vitin1999. Ndalimi u fut në verën e vitit 2000 dhe të korrat e “opium poppy” më 2001 ishin vetëm 185 ton.

Mendohet, se ndalimi në fjalë erdhi jo dhe aq si dëshirë për të hequr dorë nga prodhimi i “vdekjes së bardhë”, sesa si një domosdoshmëri e përmirësimit të imazhit në negociata dhe nga dëshira për të ngritur çmimet si për lëndën e parë, ashtu edhe për produktin e gatshëm.

Sot me kultivimin e “opium poppy” merren praktikisht në të gjithë territorin e Afganistanit, pavarësisht bindjeve politike. Të korrat e vitit 2011 përbëjnë 5800 ton.

Aktiviteti terrorist, gjithashtu, nuk është në ulje. Numri i luftëtarëve talebanë, që ra gjatë vitit 2006 deri në 12.000 vetë, sërish zuri të rritej, gjersa në vitin 2010 arriti në 27.000 syresh. Në këto kushte largimi i planifikuar i amerikanëve do të çojë vetëm në atë, se talebanët shumë shpejt do vendosin kontrollin e tyre mbi gjithë territorin e Afganistanit, për më tepër që sot ata paraqiten si forca që “lufton kundër pushtuesve të huaj”.

Për Rusinë ky skenar zor se do sjellë mbarësi: fitorja e "Taleban-it" do të thotë ripërtëritje e “eksportit të radikalizmit”, që ka depërtuar sot në brendësi të vendit nëpërmjet kufirit verior të Afganistanit. Në këtë mënyrë, duke marrë përsipër shtypjen dhe neutralizimin e aktivitetit të "Taleban-it" forcat e SHBA-së dhe NATO-s i japin zgjidhje asaj detyre, që në rast të kundërt do kishte fort të ngjarë ta zgjidhte Rusia në territorin e republikave të Azisë Qendrore. 

0Për më tepër se kaq, në kushtet e sotme ndërprerja e operacioneve është e pamundur edhe për vetë SHBA-në. Kthimi triumfal, krejtësisht i mundshëm, i talebanëve dhe rënia e regjimit të Hamid Karzait do shndërrohej për Uashingtonin në disfatë mëse të vërtetë, të njëjtë me atë në Vjetnam. Vetëm se me një ndryshim: në Vjetnam në vitin 1975 fitoi ajo forcë, që kontrollohej nga Bashkimi Sovjetik dhe që vepronte në kuadër të rregullave të lojës së pranuar nga të gjithë. Rilindja e "Taleban-it" në Afganistan do të thotë fitore e asaj force, të huaj për të gjithë lojtarët kryesorë dhe me pasoja të paparashikueshme për rajonin.