0Festën do ta kalojnë në vendet e argëtimit publik më shumë se 1.3 milionë qytetarë rusë. Për ta janë planifikuar rreth 1.550 aktivitete të ndryshme të larmishme. Më shumë se 20 aktivitete festive po zhvillohen tashmë në Moskë. Ngjarja qendrore e festës në kryeqytetin rus do të bëhet koncerti "Rusia e Re", i cili do të fillojë në mbrëmje në Sheshin e Kuq të Moskës. Për 30.000 spektatorë do të këndojë pop yjet ruse dhe disa ansamble muzikore me mjaft popullaritet. Shou muzikor do të zgjasë plot pesë orë dhe do të përfundojë me fishekzjarre shumëngjyrëshe festive.

Kurse në mesditë, pranë Sheshit të Kuq, moskovitëve iu paraqit kryevepra e artit të kuzhinës - kulaçi i shijshëm i mbushur me mollë e vishnje me përmasa dy metra në gjatësi dhe një e gjysmë në gjerësi. Ai ishte prerë në copa-copa të vogla dhe me to gostiteshin të gjithë ata që dëshironin ta provonin.

Në aktivitetet festive në fjalë zakonisht shkojnë me familje të tëra. Për fëmijët janë organizuar festivale dhe konkurse të ndryshme, jepen shfaqje cirku. Ka dhe shumë aktivitete të veçanta tematike. Në Moskë, për shembull, shumë njerëz kanë ardhur në festivalin e flamujve, të romancës ruse dhe muzikës klasike, në takimet me muzikantët e tyre të preferuar, me poetë të famshëm dhe rishtarë.

Në njërin prej parqeve të shumtë të Moskës po zhvillohet festivali i popujve të vegjël të Rusisë. Kolektivat krijuese nga rajone të ndryshme të vendit ekzekutojnë këngë në gjuhët e veta kombëtare, kërcejnë valle popullore. Po në këtë park shiten gjithashtu sende të artit dekorativ dhe të aplikuar, kuzhinierët gostisin mysafirët me delikatesa e gatime të shijshme të kuzhinës së tyre tradicionale lokale.

Dita e Rusisë në vitet e fundit është shndërruar në një festë të vërtetë masive, tha Kryeredaktorja e site të festave Calend.ru Tatiana Prokofieva:

- Dita e Rusisë këtë vit u zhvillua tashmë për dekadën e dytë. Dhe, natyrisht, për vitet që kaluan, që nga momenti i fillimit të kremtimit të festës, gradualisht po ndryshon edhe qëndrimi ndaj saj. Sipas mendimit tim, sot njerëzit gjithnjë e më shumë e perceptojnë këtë ditë pikërisht si një feste të lidhur me vendin. Në qytete të ndryshme të Rusisë në këtë ditë mbizotëron një atmosferë me të vërtetë festive, e mrekullueshme, me humor e gjendje të lumtur shpirtërore.

Sipas traditës, në Ditën e Rusisë vendi uron tradicionalisht laureatët e Çmimit Shtetëror për arritjet dhe meritat në fushat e shkencës, artit dhe letërsisë në vitin 2011. Çmimet bashkatdhetarëve të shquar të vendit ua dorëzoi sot personalisht në Kremlin Presidenti rus Vladimir Putin.

Në përputhje me kërkesat e sigurisë, të gjitha tubimet masive dhe marshimet e lejuara në Ditën e Rusisë janë marrë nën mbrojtjen e përforcuar të policisë. Në total, për ruajtjen e rendit në këtë ditë feste në mbarë vendin janë përfshirë 70.000 policë dhe më shumë se 9.000 ushtarakë të trupave të brendshme të Rusisë.

Konstantin Garibov