0Për këtë ka deklaruar Përfaqësuesi i Komitetit Hetimor të Federatës Ruse Vladimir Markin. Në veçanti, sipas fjalëve të tij, kontrolle u bënë në apartamentet e Aleksei Navalni, çiftit Sergei dhe Anastasia Udaltsova, Ilia Jashin e Ksenia Sobçak.

Udhëheqësi i Frontit të Majtë Sergei Udaltsov dhe gruaja e tij janë thirrur për t’u paraqitur në Komitetin e Hetimit të Federatës Ruse më 12 qershor në orën 11:00. Në këtë ditë opozita jo parlamentare ka planifikuar zhvillimin në Moskë të të ashtuquajturit “Marshim i milionave”. Një aktivitet i ngjashëm më 6 maj përfundoi në përleshje me policinë, të provokuar nga një pjesë e protestuesve me prirje të skajshme radikale.

Numri i përgjithshëm i të ndaluarve në bazë të çështjes penale të ngritur sipas akuzës për organizim trazirash në Sheshin Bollotnaja përbën 12 persona, gjashtë janë arrestuar, njoftoi në prag Përfaqësuesi i Komitetit të Hetimit Vladimir Markin. Disa prej tyre kanë qenë tashmë të akuzuar në bazë të neneve të Kodit Penal të Federatës Ruse - "Pjesëmarrja në çrregullime masive" dhe "Përdorimi i dhunës ndaj përfaqësuesit të pushtetit".

Ndërkohë, komiteti organizativ i “Marshimit të ri të milionave”, i cili është caktuar të mbahet më 12 qershor, diskutoi të hënën në mbledhjen e vet situatën e krijuar. U deklarua se kontrollet në banesat e udhëheqësve të opozitës jo parlamentare nuk do të ndikojë në kurrfarë mënyre në planet për zhvillimin e aktivitetit të ditës së nesërme.

Më 9 qershor hyri në fuqi një ligj i ri për mitingjet. Ai parashikon për shkelësit e rendit gjatë aktiviteteve masive gjoba të ndjeshme dhe ndëshkime me punë të detyruar publike, ndalon pjesëmarrjen me maska në fytyrë në tubime. Sipas mendimit të shumicës së ekspertëve dhe politikanëve, ligji është në përputhje të plotë me standardet evropiane: ai nuk i ndalon mitingjet, nuk i privon qytetarëve të drejtën e tyre për t’u mbledhur në tubime proteste e për të shprehur pikëpamjet e veta.

Vladimir Biçkov