0Në të njëjtën kohë, shumica e ekspertëve dhe politikanëve janë të bindur se dënimet administrative për shkelësit thjesht janë përshtatur tashmë me standardet evropiane.

Devijimi nga rruga (itinerari) e deklaruar gjatë kohës së mitingut dhe aq më tepër hedhja e gurëve dhe shisheve mbi policët që këtej e tutje do të bëhen një “kënaqësi" fort e shtrenjtë. Personat që duan të bëjnë skandale e potere do të përballen me një gjobë prej 10.000 - 300.000 rubla (nga 300 $ deri 10.000 $), kurse organizatorët e aksioneve do të gjobiten me një shumë deri në 600.000 rubla (20.000 $). Përveç kësaj, ligji i ri parashikon aplikimin e punëve të detyruara publike ndaj shkelësve dhe ndalon pjesëmarrjen në mitingje me maska në fytyrë. Janë parashikuar gjithashtu ndëshkime për organizimin e aktiviteteve masive të paautorizuara, por vetëm në rastet kur ato provokojnë çrregullime të rendit publik.

Duam t’ju kujtojmë se iniciativa për ndryshimet në "Ligjin për tubimet dhe mitingjet" u shfaq pas aksioneve të protestave që u zhvilluan në prill dhe maj në qytetet e mëdha ruse. Për shembull, më 6 maj në Moskë organizatorët e tubimit "Marshimi i milionave” u bënë thirrje pjesëmarrësve të tij që të ndryshojë rrugën e para-dakorduar dhe të marshojnë drejt Kremlinit (rezidenca e Presidentit të Rusisë). Policia nuk i lejoi të shkojnë atje. Si pasojë filluan përleshjet. Nga turma drejt policëve nisën të fluturonin gurë dhe kokteje Molotov, poterexhinjtë më aktivë u arrestuan. Organizatorët e këtij aktiviteti më vonë deklaruan se trazirat u provokuan prej përfaqësuesve të disa grupeve joformale.

Pas këtyre incidenteve autoritetet dhe ekspertët u detyruan të vrasin mendjen se si të ndreqen të metat e cenet e ligjit për tubimet. Ligjet ruse, gjatë analizimit, doli se ishin shumë më liberale në krahasim me të njëjtat rregulla të vendeve evropiane dhe Shteteve të Bashkuara: dënimi që i kërcënohej shkelësve të rendit publik parashikonte një gjobë prej 500 deri 2.000 rubla (15-65 dollarë). Rregullat e reja të bazuara në përvojën ndërkombëtare ishin të domosdoshme, tha në intervistën e vet për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” analisti politik Pavell Danilin:

- Ligji i ri përfshin gjithçka më të mirë nga ai evropian, i SHBA dhe Kanada. Ai përshkruan në mënyrë mjaft adekuate të drejtat e organizatorëve të mitingjeve, personave zyrtarë që lejojnë zhvillimin e tyre dhe forcave që sigurojnë sundimin e ligjit. Dokumenti ofron gjoba të arsyeshme për shkelje të rregullave të zhvillimit të aktiviteteve masive.

Opozita, e cila mundi të hyjë në Parlament pas zgjedhjeve të fundit, nuk arriti të bllokojë dot ligjin në Dumën Shtetërore për shkak të mosdisponimit të numrit të mjaftueshëm të votave. Por ajo ka bërë megjithatë në këtë dokument rreth 400 amendamente dhe në mbledhjen e 5 qershorit deputetët u detyruan t’i shqyrtojnë ato deri në mesnatë. Në fund të fundit ligji u miratua.

Për pjesëmarrësit e mitingjeve, që nuk kanë ndërmend të bëjnë provokime, rregullat e reja nuk do të krijojnë kurrëfarë vështirësish, por opozita është e indinjuar megjithatë prej këtij ligji. Se si synon të veprojë ajo më tej, këtë do ta tregojë aktiviteti i pritshëm: më 12 qershor ajo ka planifikuar zhvillimin e “Marshimit të milionave” të radhës.

Andrei Smirnov