Trupat e 14 personave të masakruar barbarisht u gjetën në veri të Meksikës. Siç njofton Prokuroria lokale, trupat e të vrarëve me gjymtyrë të sakatosur ndodheshin në një kampion të parkuar pranë një dyqani.

Sipas versionit paraprak, të vdekurit u bënë viktima të përleshjeve midis bandave rivale të trafikantëve të drogës, të cilët që prej kohësh luftojnë për sferat e influencës në shpërndarjen dhe trafikimin e drogës në SHBA.

Që prej dhjetorit të vitit 2006 në veri të Meksikës, ku është krijuar një situatë e tensionuar krimi, dhuna ka marrë jetët e më shumë se 50 mijë njerëzve. Për luftën me banditët autoritetet meksikane kanë vënë në funksionim repartet e ushtrisë.