0Norilsk gjendet 300 km më në veri të Rrethit të Polit të Veriut. Ky qytet industrial u shfaq në hartën e Rusisë më 1953. Sot është qyteti i dytë në botë për nga numri i popullsisë përtej rrethit polar. Në Norilsk banojnë 200.000 njerëz. Pothuaj një e katërta e tyre janë myslimanë etnikë. Por jo të gjithë janë të lindur aty.

- Shumica, sigurisht, përbëhet nga të ardhurit prej kombësive të ndryshme. Shumë kanë ardhur nga Kaukazi, ka tartarë, bashkirë, të shumtë ka edhe nga Azerbajxhani. Të gjithë kanë ardhur në këtë qytet, kryesisht, për punë, - thotë Imam-hatibi i xhamisë së Norilskut Abdulla-Hazrat Halimov.

Ka se ku të gjesh punë në Norilsk, atje ku mund të mbërrish vetëm nëpërmjet transportit ajror. Kjo është njëra prej qendrave më të mëdha industriale të Rusisë: këtu përpunohet një e pesta e prodhimit botëror të nikelit, bakrit, kobaltit dhe shumë metaleve të çmueshme. Sakaq, të kënaqje kërkesat shpirtërore të njeriut besimtar në Norilsk gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të ekzistencës së qytetit ishte një gjë problematike. Por më 1996 u shfaq një faltore orthodokse dhe dy vjet më pas qytetin e zbukuroi ngjyra prej smeraldi e një xhamie.

“Xhamia ka planimetrinë në formën e një ylli, ndërsa minarja ka një planimetri katërkëndore. Salla e lutjeve të xhamisë vjen e rrumbullakët, lartësia e minares është 30 metra, - tregon Abdulla-Hazrat. - Në përgjithësi xhamia nuk është kaq e madhe, porse ka dy kate. Lokalet e poshtme shërbejnë si medrese”.

Besimtarët që shkojnë në xhami kujtojnë me mirënjohje atë që ndërtoi faltoren e tyre në Norilsk: Ky është Muhtad Bekmejev, tartar etnik. Ai i dha xhamisë emrin “Nurd Kamal” për nder të prindërve të tij, babai quhej Nuritdin, ndërsa nëna Gajnikamal.

“Ajo është ndërtuar si shumë ndërtesa të tjera në Norilsk mbi pilota, - thotë Abdulla-Hazrat. - Ato përdoren sepse këtu, jo thellë nën sipërfaqe të tokës, kemi të bëjmë me ngrirjen e përjetshme, që zbret deri 300-500 metra thellësi. Nëse papritmas terreni shkrin, veçanërisht gjatë verës së ngrohtë, atëherë themelet nisin të lëvizin. Prandaj, në mënyrë që ndërtesa të qëndrojë më këmbë themeli ngrihet mbi këto pilota, të cilët i ngulin, ose më saktë i bëjnë si një të vetëm me ngrirjen në thellësi të tokës”.

Xhamia e skajit më verior në botë ka edhe një sërë veçorish të tjera. Për shembull, minaret ngrihen zakonisht në formën e kullave të rrumbullakta, kurse në Norilsk ajo është ndërtuar në formë kuadratike. Shkaku gjendet në po atë klimë të ashpër: Në dy të tretat e vitit temperaturat mesatare mujore të ajrit në rajonin e Norilskut janë me shenjën minus, ndërkohë që gjatë dimrit ngricat arrijnë -50 e madje -55 gradë Celcius. Prandaj gjatë ngjitjes në murin rrethor të minares tullat do të ngrinin dhe do të reagonin më fort ndaj ngarkesës së erërave që fryjnë.

Çatitë, xhamitë dhe minaretë vijnë të pjerrëta, përndryshe nuk bën prej dëborës. Thonë, se  çdo banori të Norilskut i bie, mesatarisht, nga 10 ton borë në vit. Abdulla-Hazrat Halimov shërben në xhaminë e Norilskut qysh prej pesë muajsh. Në këtë qytet erdhi nga Rusia Qendrore, pas përfundimit të studimeve në Universitetin Islamik të Rusisë.

“Klima këtu vërtet që dallon nga rajonet më në jug. Këtu gjithçka është ndryshe: nata polare dhe dita polare. Që do të thotë, se gjysma e vitit është ditë e plotë, pa netë, ndërsa në gjysmën tjetër të vitit bën natë. Kjo gjë ndodh vetëm në rrethin polar. Edhe erërat janë mjaft të fuqishme. Nëse temperatura është minus dhjetë gradë Celcius, por ndërkohë fryn erë e fortë, atëherë bën shumë ftohtë. Gjithçka këtu, në skajin verior, është tjetër. Por njerëzit janë po ata, sikurse edhe besimi. Ndërsa detyra ime kryesore është të kujdesem për besimtarët” - thotë në përfundim Abdulla-Hazrat Halimov.