0Sipas Kryeministrit Dimitri Medvediev, shteti duhet të heqë dorë në mënyrë të plotë nga kapitali i “Rosneft-it” aty nga viti 2016.

Lista e objekteve shtetërore për privatizim u miratua në vitin 2011. Mbledhja e tanishme e Qeverisë iu kushtua përcaktimit të afateve. Programi është llogaritur deri në vitin 2016, ndërkohë që shumica e ndërmarrjeve të shpallura duhet të privatizohen plotësisht ose pjesërisht në kohën më të afërt. Kështu, deri me 1 shtator të këtij viti do të vihen në shitje rreth 200 shoqëri aksionare të vogla dhe të mesme, bëri të ditur gjatë mbledhjes Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Rusisë Andrei Bjellousov. Po bëhet përgatitja për shitjen e paketave aksionare të shtatë kompanive të mëdha, të tilla si kompania ajrore “Sibir. Gjithsej, në 2012 planifikohet të vilen, sipas vlerësimeve më modeste, 10 miliardë dollarë. Duke komentuar programin në fjalë Dimitri Medvediev theksoi si vijon:

- Prania e rënduar, e tepruar e shtetit në sektorët konkurrues të ekonomisë duhet të reduktohet. Afatet konkrete dhe vëllimi i shitjeve të paketave të aksioneve të kompanive-lidere do të përcaktohen nëpërmjet vendimeve të posaçme. Duhen marrë parasysh edhe koniunktura aktuale në tregun e kapitaleve apo risqet e mundshme, por gjithësesi është e domosdoshme të avancohet përpara.

Tregu tani është mjaft i paqëndrueshëm, situata në eurozonë nuk ngjall aspak optimizëm te investitorët, vërejnë ekspertët. Ka rrezik që aksionet gjatë shitjes të mos vlerësohen deri në masën e duhur, ose përgjithësisht do të jetë krejtësisht e paarsyeshme, e pajustifikuar nxjerrja e tyre në treg, vëren ekonomisti rus Sergei Hestanov:

- Koniunktura e tregut është një risk për privatizimin. Nëse do të ketë rënie të tregjeve botërore, atëherë prognozat e tanishme mund të korrektohen në mënyrë fort të ndjeshme.

Njëri prej qëllimeve të privatizimit është tërheqja e të ardhurave shtesë në buxhet. Ndërkohë, në kushtet aktuale do të ishte më me leverdi që të shtyhej për një farë kohe privatizimi, gjykon ekonomisti Vladimir Tihomirov:

- Ka gjasa që buxheti do të sillet në fund të vitit me një defiçit zero ose madje dhe me njëfarë profiçiti. Dhe privatizimi këtu nuk luan ndonjë rol kritik.

Ekspertët e quajnë mjaft domethënës vendimin mbi privatizimin e paketës së aksioneve të “Rosneft-it” dhe të mjaft kompanive të tjera të Kompleksit Energjetik të Karburanteve (KEK). Shteti duhet të heqë dorë prej tyre aty nga viti 2016. Ndërkaq, Qeveria nuk e përjashton mundësinë e shitjes së paketës së Rosneft-it investitorëve të huaj. Zv.kryeministri Igor Shuvallov tërhoqi vëmendjen ndaj faktit, se kompanitë amerikane janë ndër pretendentët potenciale për blerjen e aksioneve të "Rosneft-it".

Aleksandra Dibizheva, Polina Çernica