Qytetari rus Viktor But, i dënuar në SHBA me 25 vjet burg, do të kryejë dënimin në burgun USP Marion në bllokun special për terroristët dhe liderët e grupimeve kriminale.

Kështu që deklaratat e mbrojtjes për “zbutje të regjimit të mbajtjes” së Viktor But mund të jenë të parakohshme. Në burgun USP Marion një pjesë e të burgosurve, të lidhur me terrorizmin, mbahen në blloqe speciale të quajtura Communication Management Unit (CMU), ku kontrollohet gjithë informacioni që ata marrin dhe transmetojnë. Në një bllok të tillë mund të vendoset edhe Viktor But.

Të drejtat e këtyre të burgosurve janë të kufizuara në mënyrë të konsiderueshme: atyre u lejohet vetëm një telefonatë në javë me kohëzgjatje 15 minuta dhe jo më shumë se 2 takime në muaj, në të cilat ndalohet kontakti personal.