Kryeministri i Polonisë Donald Tusk shprehu bindjen se marshimi i tifozëve rusë të futbollit, të cilin ata planifikojnë ta organizojnë në Varshavë më 12 qershor, nuk përbën asnjë rrezik në vetvete dhe se tifozët polakë mund të bashkohen pa problem me rusët në këtë marshim.

“Unë nuk shqetësohem fare në lidhje me këtë. Për më tepër, mendoj se tifozët polakë mund të bashkohen me rusët. Sepse ata do ta organizojnë atë në Ditën e Rusisë, e cila simbolizon shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Kjo ngjarje i përket gjithashtu edhe vendit tonë”, - tha Donald Tusk duke folur në një emision të televizionit polak.

Në Ditën e Rusisë, e cila festohet më 12 qershor, në Varshavë do të zhvillohet ndeshja e Kampionatit Evropian të Futbollit midis kombëtareve të Polonisë dhe Rusisë.