Rusia në fillim të gushtit të këtij viti duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT). Për këtë deklaroi Kryeministri i Rusisë Dimitri Medvediev në një takim të qeverisë.

Kryeministri vuri në dukje se duhet të përgatiten planet e përshtatjes së degëve të ndryshme të ekonomisë ruse me kushtet e anëtarësimit në këtë organizatë. Në të njëjtën kohë ai theksoi, se duke u bashkuar me OBT "ne do të respektojmë në mënyrë rigoroze marrëveshjet e arritura, do të përmbushim detyrimet përkatëse, ndërsa angazhime të tjera ne nuk do të marrim më mbi vete".