0Konstruktorët e “Izhmashit” (koncerni “Izhevskij Mashinostroitelnij Zavod”) ia dolën mbanë të përmirësojnë në mënyrë thelbësore parametrat e automatikut, duke e përshatur atë me kushtet bashkëkohore të zhvillimit të luftës, por duke ruajtur njëkohësisht karakteristikat e automatikëve Kallashnikov, tregoi në një intervistë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Kryeredaktori i revistës “Mbrojtja kombëtare" ("Национальная оборона") Igor Korotçenko:

- Në këtë automatik janë marrë parasysh zgjidhje të reja të konstruksionit dhe teknologjike. Ai do të jetë më funksional dhe do lejojë të arrihet kërkesa kryesore ndaj armës së zjarrit të krahut, që është perfeksionimi i shënjestrimit për larg dhe garancia për një zjarr të përqëndruar gjatë qitjes. Me automatikun e ri do të pajisen të gjitha njësitë e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse si dhe trupat e forcave të destinacionit të posaçëm.

Automatiku i ri, para së gjithash, dallohet për konstruksionin e pazakontë të modulit, i cili mundëson krijimin e afro 20 modifikimeve të armëve të zjarrit të destinuara për civilë dhe ushtarakë me plumba të kalibrit nga 5,45 deri në 7,62 milimetra. Përdorimi i AK-12 mund të realizohet me një dorë, tek ai mund të vendosen pajisje shtesë: shenjestra optike, pajisje matëse për përcaktimin e largësisë, hedhëse granatash. Ndër risitë e tjera renditen: tytat e ndërrueshme, të cilat garantojnë tre regjime zjarri si dhe mekanizmi i ri shkrepës.

Igor Korotçenko bëri të ditur se gjatë përpunimit të AK-12 u shfrytëzuan teknologji të reja në fushën e karkasave dhe materialeve, ndërsa më shumë se dhjetë zgjidhje të reja teknike do të zbatohen më tej dhe do të marrin patentën gjatë krijimit të modeleve të ndryshme të automatikut Kallashnikov, shprehet vëzhguesi për çështjet ushtarake Viktor Baranjec:

- Automatikët tanë gjithnjë janë nderuar me çmimin Grand Prix nëpër botë. Ndërsa automatiku Kallashnikov me kohë është shndërruar në legjendë botërore. Automatikët e versionëve të mëparshëm - AK 74 - janë prodhuar në 50 milionë copë. Ata i kanë blerë më shumë se 50 vende. Jam plotësisht i sigurtë se një fat i tillë e pret edhe AK-12.

Provat në uzinë të automatikut të ri planifikohen të përfundojnë deri në fund të vitit 2012, ndërsa më 2013 ai do të kalojë provat e komisionit shtetëror. Pas kësaj, automatiku i ri AK-12 do të pranohet si armë e ushtrisë ruse dhe do të fillojë prodhimi i tij në seri.

Milena Faustova