0Në ditën në vijim në diskutimin e kësaj çështjeje do të ingranohen edhe udhëheqësit e vendeve që gëzojnë tashmë statusin e vëzhgueseve në këtë Organizatë - Mongolia, India, Pakistani dhe Irani. Ndër mysafirët e ftuar në samit janë presidentët e Afganistanit dhe Turkmenistanit. Në kuadër të samitit në fjalë janë planifikuar edhe një sërë takimesh dypalëshe. Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka parashikuar në axhendën e punës së vet takimet me presidentët e Afganistanit dhe Iranit.

Liderët e “Gjashtëshes së Shangait” kanë ndërmend të miratojnë strategjinë e përditësuar të zhvillimit të OBSH apo SCO. Dokumenti i ri zgjeron, në veçanti, mundësitë e reagimit në situata emergjente.

Në paketën e dokumenteve, që do të miratohen nga liderët e OBSH apo SCO, është përfshirë Programi i bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, separatizmit dhe ekstremizmit. Ai, siç u bë e ditur, destinohet të zgjerojë mundësitë e bllokimit të përbashkët të kanaleve të financimit të terrorizmit.

Pritet edhe marrja e vendimit për dhënien Afganistanit të statusit të vendit vëzhgues në OBSH apo SCO. Eksperti orientalist rus Juri Morozov e quajti këtë ngjarje historike për rajonin:

- Largimi i trupave të SHBA në vitin 2014 nga Afganistani mund të jetë i mbarsur me shpërthimin e veprimeve të pakontrolluara të militantëve islamistë dhe militantëve të kallëpeve të tjera në Azinë Qendrore. Në qoftë se Afganistani do të bëhet vend me status vëzhguesi, atëhere do të jetë më e lehtë të ushtrohet presion mbi Kabulin me qëllim të stabilizimit të situatës. Së fundi, dikush duhet ta ndihmojë Afganistanin në rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar. Këtë mund ta bëjnë për mrekulli e pa sforcim vendet e OBSH apo SCO, ndërkohë që kjo i përgjigjet në veçanti edhe interesave të Rusisë. Sepse në territorin e Afganistanit do të duhet të rindërtohen 43 ndërmarrje, të ndërtuara dikur atje nga Bashkimi Sovjetik.

Analisti politik dhe orientalisti rus Stanisllav Tarasov e cilësoi si unikal samitin e pritshëm dhe shpjegoi përse:

- E veçanta e samitit konsiston pikërisht në faktin se përveç Afganistanit statusin e partnerit të dialogut duhet ta marrë Turqia. Dihet fort mirë tashmë se në lidhje me drejtimin sirian pozitat e Rusisë, Kinës dhe Iranit janë diametralisht të kundërta me interesat e Turqisë, pas të cilave mund të vërehet në mënyrë krejtësisht evidente hija e Perëndimit. Dhe momenti i dytë i rëndësishëm: OBSH apo SCO do të miratojë deklaratën për formimin e sistemit të sigurisë në Azi. Po në ç’mënyrë do të ingranohet Turqia në zgjidhjen e këtij problemi? Sepse në Lindjen e Mesme, si rezultat i “pranverës arabe”, ne shikojmë ngjarje të një pikësynimi krejtësisht tjetër.  

0Në samitin e OBSH apo SCO në Pekin vazhdon të ruhet intriga rreth pranimit të Iranit, Indisë dhe Pakistanit në këtë Organizatë. Moska propozoi përshpejtimin e harmonizimit të kushteve financiare, ligjore dhe administrative për pranimin e anëtarëve të rinj në Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait. Takimi i liderëve të “Gjashtëshes së Shangait”, siç pritet, do të japë përgjigje edhe në lidhje me këtë çështje.

Konstantin Garibov