0Të martën në një bisedë telefonike me të dërguarin e posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe, Kofi Annan, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov bëri thirrje për hetim objektiv dhe të paanshëm të të gjitha rrethanave të ngjarjeve tragjike të javës së kaluar në fshatin El-Hula pranë Homsit. Ndërkohë, Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për Operacione Paqeruajtëse Herve Ladsus pranoi se misioni nuk ishte në gjendje për të nisur një hetim të plotë. Arsyeja është se misioni nuk ka ekspertë mjeko-ligjorë. E gjithë kjo i dha arsye Kofi Annanit të pranojë se kriza në Siri ka arritur pikën kritike.

Pas masakrës në El-Hula Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Bullgaria, Britania e Madhe, Austria, Hollanda, Zvicra, Belgjika, Australia, Japonia, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara i shpallën ambasadorët apo të ngarkuarit me punë të Sirisë persona non grata. Kreu i misionit diplomatik rus në BE, Vladimir Çizhov, shprehu dyshime në lidhje me efektivitetin e dëbimit të diplomatëve. Të zhdredhësh "spiralen e përballjes" është e lehtë, por është e vështirë të dalësh prej saj, theksoi ai.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara, Australia, Franca dhe Belgjika flasin me shumë gjasa rreth mundësisë së një ndërhyrje të jashtme në Siri. Të mërkurën në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ata do të kërkojnë miratimin e një rezolute që do të lejonte përdorimin e forcës kundër autoriteteve të Sirisë në bazë të Kartës së OKB-së. Kreu Nr. 7 parashikon përdorimin e forcës në rast kërcënimesh ndaj paqes dhe në rast aktesh agresioni, theksoi në këtë kontekst eksperti i Institutit të studimeve mbi Orientin të Akademisë ruse të shkencave Aleksei Podcerob:

- Përdorimi i forcës është i mundshëm vetëm në dy raste në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ose në rast vetëmbrojtjeje, ose me vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Situata në fjalë nuk përfshin asnjërin nga rastet e mësipërme. Meqë ra fjala Perëndimi shumë pak i bën llogaritë me të drejtën ndërkombëtare. Kujtoni agresionin kundër Jugosllavisë në vitin 1999, ndërhyrjen ushtarake në Irak në vitin 2003, në Libi vitin e kaluar.

Rusia nuk ka ndërmend të lejojë nismën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ndërhyrjen e jashtme ushtarake në çështjet e Sirisë, deklaroi të mërkurën në Moskë Zëvendës Ministri i Jashtëm i Rusisë Genadi Gatillov. Rusia ka qenë gjithmonë kundërshtare e çdolloj ndërhyrjeje të jashtme në konfliktin sirian. Kjo vetëm do të përkeqësonte situatën si në Siri ashtu dhe në të gjithë rajonin, deklaroi diplomati. Me këtë pozitë janë dakord dhe në Pekin, ku u konfirmua se janë kundër çdo ndërhyrjeje ushtarake në çështjet e Sirisë.

Konstantin Garibov