Në Egjipt sot fillojnë zgjedhjet presidenciale dy ditore, të parat pas revolucionit dhe dorëheqjes së Hosni Mubarak.

Për postin e kreut të shtetit pretendojnë më shumë se 10 kandidatë. Megjithatë tre janë liderët: 70-vjeçari Amr Moussa, ish-Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe; Abdel Moneim Aboul Fotouh, një islamik i moderuar, i cili u përjashtua nga radhët e "Vëllezërve Muslimanë" për vetëshpalljen e kandidaturës së tij dhe përfaqësuesi zyrtar i "Vëllezërve" Morsy Mohammed që premton të kthejë në Egjipt ligjet e Sheriatit.

Shumica e analistëve pajtohen me mendimin se në raundin e parë nuk do të fitojë asnjëri prej kandidatëve. Beteja kryesore do të zhvillohet më 16-17 qershor, kur në fletët e votimit do të figurojnë emrat e dy finalistëve të garës presidenciale.