0Ekipi kombëtar i hokeit i Rusisë pas tre vjetësh i riktheu vetes titullin e kampionit. Është veçanërisht impresioues fakti se fituan rusët me një stil të shkëlqyer loje - 10 fitore të padiskutueshme në 10 ndeshje, ndërkohë që nuk e çuan asnjëherë punën deri në kohë shtesë (owertime). Siç vunë në dukje edhe vetë lojtarët, ata gjatë gjithë kohës së Kampionatit nuk kanë menduar kurrë për rivalët, detyrë kryesore për ta ishte ndjekja e udhëzimeve të trajnerit Zinetulla Bilialetdinov.

Ky ishte sezoni i parë i trajnerit të ri të ekipit përfaqësues rus, kartvizitë e të cilit është loja e fokusuar në mbrojtje. Kjo u ndje në të gjitha ndeshjet: loja kompetente në mbrojtje dhe sulmet e herëpasherëshme në portën e kundërshtarit. “Unë mendoj se Zinetulla Bilialetdinov e ka përgatitur në mënyrë të shkëlqyer ekipin dhe e ngriti atë në piedestalin e nderit të Kampionatit”, - tha në intervistën e vet dhënë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” gazetari sportiv Vlladisllav Donriçev:

- Të gjithë e konsideronin atë si trajner klubi. Por ai provoi tashmë se mund të punojë për mrekulli edhe me ekipin përfaqësues dhe të korrë fitore të shkëlqyera. Këtë e konfirmuan rezultatet e 10 ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Hokeit. Këtë ka arritur ta bëjë vetëm e ashtuquajtura “Makinë e Kuqe” - ekipi përfaqësues i Bashkimit Sovjetik në vitin 1989 në Suedi. Zinetulla Bilialetdinov diti të vendosë marrëdhënie shumë të mira me skuadrën. Me lojtarët ai ka ndërtuar marrëdhënie konstruktive pune, ngandonjëherë sillet me ta në mënyrë disi të rreptë, por kurrë nuk e ngre zërin, shpjegon shumë qartë gjithçka të nevojshme.

Lojtari më i vlefshëm dhe golashënuesi më i mirë i Kampionatit u shpall Eugjeni Mallkin. Ylli 25-vjeçar i NHL (Liga Kombëtare e Hokeit) ka shënuar gola në çdo ndeshje, ndërsa në dy lojë ka realizuar madje nga tre gola (hat-trick). Pyetjes: Kujt ia dedikon Eugjeni Mallkin fitoren e parë në Kampionatin Botëror? - hokeisti iu përgjigj - “Lojtarëve të klubit “Lokomotiv” të Jarosllavlit, të cilët vdiqën tragjikisht në një aksident ajror në vjeshtën e vitit të kaluar”:

- Sigurisht, lojtarëve të klubit “Lokomotiv” në radhë të parë. Ne nuk i harrojmë djemtë që nuk janë më midis nesh tani. Dhe, natyrisht, gjithë vendit tonë. Fillimisht, mua mu krijua përshtypja se besimi ndaj skuadrës sonë nuk ishte i fortë, por më pas të gjitha dyshimet u zhdavaritën. Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin e vet. Ne u shprehim mirënjohjen tonë të pakufijshme tifozëve, që na mbështetën me entuziazën të madh në të gjitha ndeshjet.

Lojën e ekipit kombëtar e ndoqi me vemendje të përqendruar Zëvendëskryeministri i qeverisë së Rusisë Dimitri Kozak, përgjegjës për përgatitjen e Lojrave Olimpike Dimërore të vitit 2014 në Soçi. Ai mbeti jashtëzakonisht i kënaqur nga loja e hokeistëve rusë:

- Jam me të vërtetë tejet i impresionuar nga forma e mrekullueshme sportive e skuadrës sonë kombëtare. Kjo na mbush me shpresë se ne do të mund të debutojmë me një sukses po të tillë edhe në Soçi. E rëndësishme është që ekipi të ruajë një frymë po kaq të konsoliduar, një formë po të tillë sportive dhe në këtë përbërje lojtarësh. Unë jam mëse i bindur se ky do të jetë evenimenti më spektakolar i Lojrave Olimpike. Ne do ta mbështesim me të gjitha forcat ekipin tonë kombëtar.

0U bënë tashmë të ditur edhe rivalët e ekipit përfaqësues të hokeit të Rusisë në ndeshjet në grup në Olimpiadën në Soçi. Kështu, rusët, të cilët kryesojnë listën e renditjes të Federatës Ndërkombëtare të Hokeit, do të duhet të luajnë me amerikanët dhe sllovakët.

Svetllana Kallmikova