0Në tabelat e basteve përfaqësueset e Rusisë pozicionohen midis vendit të dytë dhe të pestë. Ndërsa në renditjen e gazetarëve të akredituar në konkursin e këngës ato janë lidere të padiskutueshme. Pasi ndoqën provat e ansamblit rus, për shembull, reporterët britanikë u shndërruan në fansa të gjysheve të Buranovit dhe shëtisin tani nëpër qytet të veshur me bluza me portretet e tyre.

Gjyshet nga Urali u bënë fort të dashura edhe për banorët e kryeqytetit të Azerbajxhanit - Baku, i cili ndodhet në brigjet e Detit Kaspik. Ata tashmë i njohin gjyshet në rrugë dhe u luten të bëjnë me to fotografi për kujtim. Meshkujt u shprehin dashurinë e vet gjysheve, duke u thënë se ato ngjasojnë me nënat e tyre. Kurse femrat admirojnë kostumet origjinale të interpretueseve ruse.

Por i duhet dhënë haku edhe konkurrentëve të “Gjysheve të Buranovit” (“Buranovskye Babushki”) - të gjithë ata sillen me një nderim e respekt të veçantë ndaj pensionisteve. “Gjashtë lady të jashtëzakonshme, të pabesueshme” - kështu i quan pjesëmarrëset ruse të “Eurovision 2012” këngëtarja suedeze Loreen, të cilën bastëvënësit e cilësojnë si lidere të padiskutueshme të konkursit muzikor. “Ato janë kaq të vërtetësishme, të pafajshme, të këndshme, - shprehet e entuziazmuar Loreen. - Dhe megjithëse "Eurovision" quhet konkursi i këngës, për arritjen e fitores në të në një masë të madhe ndikon qëndrimi i publikut ndaj artistit. Ndërsa me aq di unë, gjyshet ruse adhurohen nga të gjithë pa përjashtim”.

Producentja e “Gjysheve të Buranovit” (“Buranovskye Babushki”) Ksenia Rubcova është përfshirë seriozisht në vrullin e punës dhe nuk i shpreh në publik emocionet e veta. Kërkesës, për të artikuluar në intervistën për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” parashikimin e saj përkatësisht rezultateve të konkursit, ajo iu përgjigj në mënyrë mjaft të përmbajtur:

- Deri tani gjithçka po shkon mbarë e mirë. Ne jemi përgatitur shpirtërisht për të korrur fitore, ndërsa se si do të shkojnë punët në të vërtetë - vetëm Zoti e di. Gjyshet i presin shumë mirë. Madje dhe në prova, ku nuk lejohet të hyjnë njerëz të huaj, personeli i shërbimit të sallës, bashkëpunëtorët e shërbimit të sigurisë, të gjithë ata që janë përfshirë në organizimin e “Eurovision 2012”, i duartrokasin ngrohtësisht ato. Gjyshet i marrin me gjithë seriozitetin e duhur provat. Kurse do të debutojnë ato me kostumet personale kombëtare. Ato nuk janë thjesht kostume, por relike familjare, të cilat ato i ruajnë që prej shumë e shumë vitesh.

Disa nga këto kostume kanë një moshë gati 200-vjeçare. Ato i kanë mbajtur stërgjyshet e gjysheve tona. I vishnin në ditë festash të mëdha dhe i ruanin në sundukët e familjes. Në qafë artistet ruse do të varin bizhuteri shumë të moçme prej argjendi të bëra nga monedha. Në këmbë do të veshin çorape, të punuara me shtiza nga duart e njërës prej pjesëmarrëseve të ansamblit, dhe opinga  me lëvore bliri apo mështekne. Këto opinga tradicionale, të punuara me lëvore të re, të njomë bliri, i bën bashkëshorti i njërës prej interpretueseve. Kur regjisori i propozoi gjysheve të dalin në skenë me këpucë, ato e refuzuan unanimisht këtë gjë: “Me opingat prej lëvoreje mështekne kërcehet më mirë”, - argumentuan ato. Theksi i spikatur kombëtar është vënë edhe në dekoret e vetë numrit. Në skenë, gjatë interpretimit të këngës, do të sillet edhe furra (sobë dhome) karakteristike ruse (peçka). Meqë ra fjala, fotografitë e saj shkaktuan shumë pyetje në bloget botërore: po çështë ai kuadrat i bardhë?! Gjyshet gjatë debutimit në skenë do të nxjerrin nga furra kulaçë të vegjël dhe do të gostisin me to publikun.

Pavarësisht nga të gjitha këto gjyshet nuk duken aspak si “kafshëzë të papara, të çuditshme” midis pjesëmarrësve të tjerë të konkursit, gjë së cilës i druheshin jo pak vetë. Ato kanë diçka të papërsëritshme, mjaft origjinale, shumë të thellë, të paçmuar. Pikërisht për këtë arsye në provat e tyre mblidhen kaq shumë reporterë të huaj, ndërkohë që përgatitja e pjesëmarrësve të tjerë ndiqet vetëm nga një dyzinë gazetarësh. Dhe në provat e askujt tjetër nuk thërrasin kaq fort “Bravo!” si në ato të “Gjysheve të Buranovit” (“Buranovskye Babushki”).

Shkarko audiofailin

Natalia Viktorova