0Situata në Siri mbetet ende e paqëndrueshme. Në qytete të ndryshme të vendit zhvillohen periodikisht demonstrata antiqeveritare, vazhdojnë përleshjet e armatosura midis trupave siriane dhe forcave të opozitës, sulmet terroriste, gjatë së cilave vriten kryesisht banorë paqësorë. Megjithatë, tashmë janë dukur shenjat e para të asaj që mund të quhet jetë paqësore. Në fillim të majit u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Ato treguan se shumica e popullsisë e dha votën e vet për bllokun proqeveritar "Uniteti Kombëtar", që do të thotë se populli mbështet regjimin aktual. Autoritetet qeveritare, nga ana e vet, synojnë të zhvillojnë dialog në parlamentin e ri me të gjitha forcat politike që hynë në të, pavarësisht faktit se disa përfaqësues të opozitës deklaruan për daljen e mundshme nga Kuvendi Popullor, tregoi në intervistën televizive Presidenti Bashar Al-Assad:

- Ky është një proces normal. Gjithkush ka këndvështrimin e vet në lidhje me atë se si u zhvilluan zgjedhjet. Mbase ata nuk janë të kënaqur me vetë ligjin zgjedhor. Por ne mund ta diskutojmë këtë me ta më vonë. Tani ne kemi një parlament të ri. Dhe ne planifikojmë të fillojmë në të një dialog të drejtpërdrejtë me forcat e ndryshme politike. Ne do të vazhdojmë gjithashtu reformat e filluara.

Megjithatë, detyra më e rëndësishme tani për autoritetet nuk është vetëm zbatimi i reformave të deklaruara, por dhe lufta kundër sulmeve terroriste, theksoi në intervistë Bashar Al-Assad:

- Tani në Siri është mjaft akut problemi i luftës kundër terrorizmit. Disa njerëz mendojnë se po t’i kishim filluar më parë reformat, situata aktuale do të ishte më e mirë. Por terroristët nuk duan t’ia dinë për reformat, ata luftojnë për hir të mbjelljes së terrorit.

Po vazhdojnë inkursionet e armatosura edhe të së ashtuquajturës “Ushtria e Lirë e Sirisë”. Në lidhje me këtë Bashar al-Assad u shpreh si vijon:

- Para së gjithash, kjo nuk është ushtri dhe aq më tepër e lirë. Ajo furnizohet me armë dhe të holla nga vende të ndryshme. Ajo përfaqëson në vetvete një bandë kriminelësh ordinerë, të cilët për vite me radhë kanë shkelur ligjin dhe janë dënuar me nene të ndryshme. Midis militantëve të saj ka ekstremistë fetare të tipit të "Al-Qaeda". Unë kam parasysh në këtë rast jo vetëm këtë organizatë si të tillë, por më tepër mentalitetin e njerëzve të përfshirë në radhët e saj. Ka në të dhe mercenarë të huaj. Shumë prej tyre janë arrestuar. Dhe ne kemi ndërmend t’ia tregojmë gjithë botës ata.

0Pavarësisht faktit se në Siri vepron armëpushimi, si opozita ashtu edhe ushtria e rregullt njoftojnë vazhdimisht mbi përleshje të reja dhe viktima. Ndërkohë, në Siri vazhdojnë të mbërrijnë vëzhguesit e OKB-së. Ata po monitorojnë realizimin e marrëveshjes për armëpushimin në kuadër të planit të Kofi Annan për zgjidhjen e krizës siriane.

Svetllana Andreeva