0Të martën në mëngjes, më 15 maj, nga “Platforma e Gagarinit” në kozmodromin “Bajkonur” startoi pikërisht në kohën e parashikuar raketa, ndërsa pas 9 minutash ajo doli në orbitën e llogaritur dhe filloi udhëtimin e vet dyditor drejt SKN.

Në pesë muajt e ardhshëm kozmonautët do të duhet të realizojnë një dalje për punë në kozmos të hapur, duhet të zhvendosin manipulatorin për transportimin e ngarkesave dhe të lirojnë vendin për modulin e laboratorit të ardhshëm, të ngarkojnë anijen evropiane të mallrave ATV dhe ta nisin atë në Tokë, të presin anijen private amerikane “Dragon” në Stacion. Përveç kësaj, kozmonautët rusë dhe astronauti amerikan do të kryejnë 40 eksperimente shkencore për të studiuar grimcat e ngarkuara dhe karakteristikat e rrezatimit të Tokës. Kozmonautët rusë duhet të marrin pjesë gjithashtu në etapën e re të eksperimentit “Matrioshka”, i cili ka për qëllim përcaktimin e shkallës së ndikimit të rrezatimit kozmik në organizmin e njeriut dhe përpunimin e metodave efektive të mbrojtjes prej tij. Në planin e punës së ekuipazhit të ri të SKN hyjnë edhe studimet tradicionale në fushën e biologjisë, mjekësisë dhe ekologjisë, tregon kozmonauti Aleksandër Aleksandrov:

- Ne kemi edhe një eksperiment të tillë si “Uragani”, i cili përfaqëson në vetvete vëzhgimin vizual që evidenton gjendjen e oqeanit dhe sipërfaqes së tokës për nga pikëpamja e situatave katastrofike si, për shembull, zgjerimi i shkretëtirave dhe invadimi i tokave pjellore.

Personi me përvojë më të madhe në përbërjen e ekuipazhit të ri është rusi Gennadi Padallka, për të cilin ky është tashmë fluturimi i katërt në kozmos. Amerikani Joseph Acaba fluturoi për herë të dytë në SKN. Ndërsa për kozmonautin Sergei Revin ky është debutimi i parë kozmik. Por atij nuk ia kam aspak merakun, shprehet me bindje gazetari, autori i shumë filmave dokumentarë rreth kozmosit Vladimir Gubariev:

- Kozmonauti, i cili fluturon për herë të parë në kozmos, provon ndjenjën e lehtësimit sepse çlirohet më në fund nga trajnimet e mundimshme, të pamëshirshme. Kjo periudhë është shumë më e vështirë, më e rëndë se vetë fluturimi. Këtë e pohojnë të gjithë kozmonautët. Ata nuk kanë më kurrfarë frike. Ka patur madje dhe kozmonautë të tillë, të cilëve nuk i shpeshtohej as pulsi gjatë startit të anijes.

0Kozmonautët Gennadi Padallka e Sergei Revin kanë marrë me vete si hajmali dhe indikator të mungesës së gravitetit arushin, iPad dhe iPod me muzikë e filma si dhe dhuratat për anëtarët e ekuipazhit që do të festojnë ditëlindjet në Stacionin Kozmik Ndërkombëtar.

Svetllana Kallmikova