Dy “kutitë e zeza” të avionit rus “Sukhoi Superjet-100” të rrëzuar në Indonezi u dërguan nga vendi i tragjedisë në Xhakartë. Transkriptimi i vetëregjistruesve të bordit do të bëhet në laboratorin lokal me pjesëmarrjen e specialistëve rusë, njoftoi përfaqësuesi i Ambasadës së Rusisë në Indonezi.

“Sukhoi Superjet-100” u rrëzua më 9 maj gjatë një fluturimi demonstrativ. Në bordin e tij ndodheshin 45 persona, midis të cilëve 8 qytetarë rusë. Të gjithë ata gjetën vdekjen. Arsyet e rrëzimit të avionit ende nuk janë zbardhur. Sipas të dhënave paraprake, avioni u përplas me shpatin e malit në kushtet e shikueshmërisë së keqe.