0Kërkimi i vetëregjistruesit të dytë të bordit, i cili fiksonte të dhënat e fluturimit, po vazhdon, po ashtu si dhe operacioni për kërkimin e trupave të viktimave.

Vetëregjistruesi i zërit u gjet të mërkurën në mëngjes rreth 100 metra larg vendit të rënies së fragmentit të bishtit të avionit “Sukhoi Superjet-100”. “Kutia e zezë” u dërgua në laboratorin e posaçëm në Xhakartë, ku me deshifrimin e të dhënave të saj po merren ekspertët e të dy vendeve, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Sekretari për shtyp i Ambasadës Ruse në Indonezi Dimitri Sollodov:

- Shpëtuesit gjetën një vetëregjistrues të bordit të aeroplanit “Sukhoi Superjet-100”. Fjalë në rastin konkret bëhet për vetëregjistruesin e zërit. Ai është djegur keq, por blloku i memories është ruajtur. Për marrjen e informacionit prej tij nevojitet një pajisje suplementare, e cila do të sillet posaçërisht nga Rusia në Xhakartë. Shpëtuesit rusë dhe indonezianë po vazhdojnë të punojnë bashkarisht në vendin e rrëzimit të aeroplanit me qëllim që të gjejnë vetëregjistruesin e dytë të të dhënave parametrike të bordit.

Ndërkohë po vazhdon intensivisht operacioni i kërkimit në vendin e katastrofës së avionit, i njoftoi Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Shefja e Departamentit të informacionit të Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) të Rusisë Irina Andrianova:

- Gjithsej në operacionet e kërkimit janë përfshirë 700 veta, midis të cilëve dhe 84 specialistë të MSJ të Rusisë. Shpëtuesit aktualisht po merren me mbledhjen e trupave të viktimave dhe fragmenteve të aeroplanit, në vendin e rrëzimit të tij, si dhe me evakuimin e tyre në Xhakartë. Kampi i ekipeve të shpëtimit është vendosur në rrëzë të malit Salak, pranë vendit të aksidentit ajror. Sot grupi i shpëtuesve rusë dhe indonezianë realizoi zbritjen në grykën malore, ku ndodhen fragmentet e bishtit të aeroplanit rus. Ai u vëzhgua me kujdes nga ata, u arrit të ngrihen prej andej disa fragmente të bishtit. Punimet e kërkimit do të vazhdojnë.

Gjatë kohës së punës së ekipeve të kërkimit e shpëtimit janë dërguar tashmë në Xhakartë 26 konteinerë me trupat e viktimave, në 1/3 e tyre ndodhen sendet personale të pasagjerëve. Identifikimi i të vdekurve po vazhdon të bëhet bashkarisht nga ekspertët rusë dhe indonezianë. Të mërkurën në Indonezi pritet të mbërrijë specialisti i njohur rus për ADN-në (materialin gjenetik) për dhënien e ndihmës kolegëve indonezianë.

0Në Komitetin Hetimor të Rusisë patën deklaruar më parë se mblodhën mostrat e gjakut të të afërmve të qytetarëve të vdekur rusë për të kryer identifikimin. Ato gjithashtu do të dërgohen në Indonezi. Në momentet aktuale specialistët arritën të identifikojnë 22 viktima të aksidentit ajror. Identifikimi është bërë nga shenjat e gishtave, njoftojnë agjencitë e lajmeve me referim tek informacioni i marrë në shtabin operativ.

Polina Çernica