0“Gjahtari i emigrantëve” nuk mund të cilësohet si pasues i vrasësit të 77 personave Andres Breivik, gjyqi ndaj të cilit po zhvillohet këto ditë në Norvegji: dy vrasjet e para Peter Mangs dyshohet se i ka krye që në vitin 2003. Më pas ai ka ndërmarrë edhe një dyzinë sulmesh ndaj njerëzve në periudhën e viteve 2009-2010. Dhe vetëm njëra nga viktimat e veprimeve të tij ishte suedeze etnike, vërtetë, gjatë kohës së sulmit ajo ndodhej në shoqërinë e një emigranti.  Peter Mangs nuk shpreh kurrfarë pendimi për veprimet e veta. Meqë ra fjala, Anders Breivik e ka përmendur atë dhe disa neonazistë të tjerë si patriotë të vërtetë, të cilët kanë rrokur armët për mbrojtjen e Evropës nga politika e multikulturalizmit. Kjo politikë çoi në fluksin e pakontrolluar të emigracionit në vendet evropiane dhe shkaktoi përgjigje nga ana e krahut të dhjathtë radikal, mendon analistja politike ruse Irina Semenenko:

- Kjo përgjigje është shumë e frikshme. Ky është radikalizim bashkëtingëllues me prirjet e një pjese të konsiderueshme njerëzish, të cilët nuk mund të pajtohen dot me vetë faktin se trashëgimia e tyre, vlerat e të mirat e krijuara nga paraardhësit e tyre, shfrytëzohen nga emigrantët. Dhe me masa policore kjo çështje është e pamundur të zgjidhet - do të gjendet gjithfarë mënyrash për të anashkaluar përndjekjet policore.

Në Suedi, dhe jo vetëm në këtë vend, është tejkaluar i ashtuquajturi prag i tolerancës së migracionit, të cilin sociologët e përcaktojnë tradicionalisht me shifrën 13% emigrantë nga numri total i popullsisë, thotë analisti politik Oleg Barabanov:

- Gjithkund është tejkaluar pragu i tolerancës, duke përfshirë edhe vendet ku prania e emigrantëve ka ekzistuar gjithmonë: po në atë Francë, në Britaninë e Madhe. Zona e Shengenit hapi kufijtë e brendshëm në gjithë Evropën. Kjo çoi si rrjedhojë në atë, që shumë mërgimtarë, pasi depërtuan në BE përmes Francës, Italisë apo në ndonjë mënyrë tjetër, lëvizën, u zhvendosën më tej duke tejkaluar pragun e tolerancës së migrimit në shtetet e tjera.

Evropa e futi veten në një situatë pa rrugëdalje, mendon Oleg Barabanov. Meqenëse nuk ka një zgjidhje unike të këtij problemi, është tejet i madh rreziku i dukjes së “gjuetarëve “ të rinj në gjirin e shoqërisë evropiane, shprehet me bindje analisti politik rus.

0- Është plotësisht e qartë se seria suedeze e vrasjeve, madje në një shkallë akoma më të lartë se ajo e vrasjeve të Breivik, është e lidhur me marrëdhëniet ndëretnike në Evropë, të cilat po vijnë duke u përkeqësuar vazhdimisht. Në të njëjtën kohë ne vërejmë forcimin e krizës ekonomike që godet në mënyrë të pamëshirshme stabilitetin social në Evropë, dhe rrjedhimisht, shumë njerëz që humbasin punën ose thjesht besimin në ekzistencën e qëndrueshme ekonomike, fillojnë të fajësojnë emigrantët. Prandaj, ndodhi tragjike të kësaj natyre, ç’është për të ardhur keq, do të vazhdojnë të përsëriten.

Margarita Bogatova