0Kundër ish-Komandantit të ushtrisë së serbëve boshnjakë janë ngritur 11 aktakuza. Midis tyre janë përfshirë akuzat për gjenocid, persekutim, vrasje, terror dhe peng-marrje. Procesi gjyqësor do të fillojë me një fjalim hyrës të Prokurorit, i cili do të mbahet nga ai për dy ditë me radhë. Që nga 26 maji pala e akuzës do të nisë paraqitjen e dëshmive të dëshmitarëve të parë. Të tillë pritet të jenë më shumë se 400. Vetë gjyqi mund të zgjasë disa vjet, thotë eksperti rus në historinë e Evropës Juglindore Aleksandër Karasjov:

- Ky proces gjyqësor do të jetë kohëgjatë, sepse ka shumë dëshmitarë dhe mjaft aktakuza që i inkriminohen Ratko Mlladiçit. Vëllimi i materialeve të procesit gjyqësor është jashtëzakonisht i madh. Nga ana tjetër, për një analizim sa më objektiv duhet të merren parasysh jo vetëm krimet që i inkriminohen Mlladiçit, por dhe të bëhet vlerësimi objektiv i ngjarjeve të ndodhura në Ballkan në atë periudhë. Shkelje të rregullave të zhvillimit të luftës dhe shkelje të të drejtave të njeriut ka patur në atë kohë nga të gjitha palët kundërshtare, ndër të tjera edhe nga ana e njësive të armatosura myslimane dhe komandantëve të tyre në periudhën e luftës etno-civile.

Në vitin 1991, me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, jeta e vendit, republikave që hynin në përbërjen e tij dhe banorëve të tyre, ndryshoi në mënyrë kardinale. Në vitin 1992 pavarësinë e vet e shpalli Bosnjë dhe Hercegovina. Në luftën civile që shpërtheu në atë kohë serbët u konfrontuan me boshnjakët dhe kroatët. Serbët e Bosnjës, nga ana tjetër, deklaruan për krijimin e shtetit  Republika Serpska, President i të cilin u bë Radovan Karaxhiç, kurse Shef i Shtabit të Përgjithshëm të trupave të Republikës - Ratko Mlladiç. Pas disa muajsh forcat serbe vendosën kontrollin e vet në 70% të territorit të Bosnjë dhe Hercegovinës. Në korrik të vitit 1995 trupat serbe, pas granatimeve të fuqishme 5-ditore, arritën të marrin qytetin e Srebrenicës, i cili ishte qendër koncentrimi për refugjatët e shumtë në numër myslimanë. Rreth 30.000 gra myslimane dhe fëmijë u deportuan nga qyteti, kurse të gjithë meshkujt me moshë mbi 12-14 vjeç u ndaluan dhe u morrën në pyetje. Rrethimi i Srebrenicës dhe masakrat monstruoze masive u bënë kapitujt më të përgjakshëm në historinë e gjithë Jugosllavisë.

0Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i cili u themelua nga OKB-ja me rezolutë të Këshillit të Sigurimit, i njohu udhëheqësit e Republika Serpska fajtorë për vrasjen e 7.500 meshkujve të popullsisë myslimane të qytetit të Srebrenicës, granatimet e popullatës paqësore të Sarajevës dhe përdorimin e 284 paqeruajtësve të OKB-së si mburojë njerëzore.

Olga Denisova