0Para së gjithash ANEA është e interesuar të inspektojë objektin Parçin (Parchin) në periferitë e Teheranit, ku nga satelitët është pikasur një cilindër gjigand, kupola mbi të cilin nuk është ndërtuar tani për tani. Në janar në kryeqytetin iranian, ku u zhvillua raundi paraadhës i bisedimeve, Kryeinspektori i ANEA-s Herman Naskaerts u përpoq të siguronte lejen për vëzhgimin e objektit në Parçin. Duke motivuar refuzimin iranianët kanë konfirmuar se ai nuk është objekt bërthamor, por ushtarak. Megjithëse pas largimit të delegacionit ata deklaruan se leja u dha por nuk u shfrytëzua prej pjesëmarrësve të tij. Interesi i shfaqur ndaj këtij objekti nuk është aspak i rastësishëm, shpjegon Drejtori i Qendrës ruse për Hulumtime Politike dhe Publike Vladimir Evsejev:

- Supozohet se pikërisht në Parçin është testuar iniciatori neutron i shpërthimit bërthamor. Nëse ka patur vend një provë e tillë, kjo do të bëhej dëshmi faktike e zhvillimit të programit ushtarak bërthamor nga ana e Iranit. Dhe, në qoftë se Irani do të lejojë vizimin e objektit Parçin nga inspektorët ndërkombëtarë, do të demonstrojë me këtë gatishmërinë e vet për kompromis. Sigurisht, kjo nuk do të thotë aspak se dosja do të mbyllet plotësisht. Në lidhje me të ka shumë pikëpyetje.

Këto ditët e fundit në objektin iranian në fjalë është vënë re një gjallërim i dukshëm, ndërsa rreth cilindrit - dhomës së supozuar të shpërthimit - vërehen blana, shenja të rrjedhjes së ujit, sikur atje janë përpjekur të lajnë diçka të mbetur në muret e brendshme. Tani Teherani shprehet me aluzione se do t’i lejojë inspektorët e ANEA-s ta vizitojnë atë vetëm me kusht që kjo do të jetë hera e fundit: disa vite më parë ata kanë qenë atje dhe nuk gjetën asgjë të dyshimtë. Edhe një tjetër objekt që i intereson fort ANEA-s është uzina nëntokësore e pasurimit të uraniumit në Fordo. Nëse Irani do të lejojë inspektimin e këtyre dy objekteve, në përgjigje të kësaj ai pret hapa pozitivë konkretë. Për shembull, zbutjen e sanksioneve të vendosura ndaj tij nga ana e BE-së, shprehet eksperti rus.

Sipas mendimit të Vladimir Evsejev, në momentet aktuale kryesisht nga Perëndimi do të varet nëse do të ketë apo jo vazhdim të eskalimit të krizës bërthamore që mund të çojë në shpërthimin e luftës. Këto gjeste reciproke pajtuese do të minimizojnë shanset e ndërmarrjes së operacionit ushtarak kundër Iranit, i cili në mënyrë të pashmangshme do të çonte në një luftë rajonale.

Atmosfera e dialogut mes Iranit dhe ANEA-s do të përcaktojë rrjedhën e takimit të tij të ardhshëm të 23 majit me “gjashtëshen” e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, shprehet me bindje të plotë orientalistja  ruse Elena Melkumjan:

0- Çdo gjë është e ndërlidhur. Negociatat e “gjashtëshes” do të bazohen në të dhënat e siguruara nga ANEA. Në qoftë se ANEA do të arrijë të negociojë me sukses, atëhere kjo do të ndryshojë ecurinë e bisedimeve edhe me “gjashtëshen”.

Boris Pavlishiev