0Njësia e parë e përbërë prej shtatë motoskafëve të shpejtë do të shfaqet në pjesën veriperëndimore të Oqeanit Indian që këtë verë. Në të ardhmen përpunuesit e “Programit të shoqërimit të anijeve” (Convoy Escort Programme) llogarisin ta rrisin këtë flotilje mbrojtëse deri në 18 motoskafë. Secili prej tyre do të ketë një ekuipazh prej 4 vetash si dhe 8 roje të armatosura. Sipas vlerësimeve të grupit të përpunuesve, kjo do të jetë e mjaftueshme për të sprapsur sulmet e piratëve, të cilët gjithashtu përdorin motoskafë, varka me motor dhe anije peshkimi. Vërtetë, shërbimet e kësaj flote do të jenë me pagesë - 18 mijë dollarë për një motoskaf të shpejtë. Krijuesit e projektit thonë se ky është një çmim mëse i arsyeshëm. Ndërsa iniciativën e vet për krijimin e një flotiljeje të tillë e shpjegojnë me faktin se përpjekjet e fuqive botërore janë të pamjaftueshme.

Por në përgjithësi ekspertët i druhen pikërisht krijimit të flotës mbrojtëse me iniciativë private. Biznesi përpiqet të bëjë para me garantimin e sigurisë. Varianti ideal do të ishte marrja nën mbrojtje e anijeve nga autoritetet zyrtare dhe organizatat ndërkombëtare absolutisht falas, mendon Kryetari i Shoqatës së Kapitenëve Detarë të Lindjes së Largët të Rusisë Peter Osiçanskij:

- Struktura private - po sa motoskafë të shpejtë mund të vërë në dispozicion ajo, çfarë mjetesh mund të përdorë? Edhe nëse burimet janë shumë të mira, ky nuk është megjithatë bashkimi i forcave të gjithë botës. Përpjekjet e unifikuara të fuqive botërore do të jenë shumë më efektive. Komuniteti botëror është i interesuar edhe për zhdukjen e shkaqeve, edhe për asgjësimin e dukurisë së piraterisë në përgjithësi. Ndërsa strukturat private janë të interesuara vetëm për fitimin e parave.

Përveç kësaj, vetëm komuniteti botëror dhe organizatat ndërkombëtare mund të çrrënjosin shkaqet e piraterisë duke ndihmuar Somalinë, shtoi Shefi i Departamentit të Afganistanit të Institutit të Studimeve Orientale Vasili Guculjak:

- Në fakt në Somali nuk ekziston një organizim i tillë shtetëror, i cili të mund të kontrollonte pjesën më të madhe të territoreve. Rrënjët e piraterisë fshihen në varfërinë, mjerimin që mbizotërojnë në vend. Sepse faktikisht për një shtresë të madhe të popullsisë nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç përfshirjes në veprimtari piraterie.

0Duam t’i shtojmë asaj që thamë më sipër se në vitin 2012 aktiviteti i piratëve somalezë ka rënë disi. Kjo ndodhi, në radhë të parë, për arsye se filloi të mbahet një qëndrim më i përgjegjshëm ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me sigurimin e mbrojtjes bregdetare të vendeve që kanë dalje në Oqeanin Indian.

Anastasia Pershkina, Julia Asheullova