0Këtu në “fund të botës” - kështu përkthehet nga gjuha nenece emri i Gadishullit Jamal (Yamal) - vogëlushja do të bëhet eksponati kryesor i ekspozitës “Koha e mamuthit”. Ajo i dedikohet fillimit të konferencës ndërkombëtare “Burimet dhe rreziqet e rajoneve të ndodhura në zonën e ngricës së përjetshme në botën në ndryshim”. Ajo do të mbahet më 25-29 qershor dhe do t’i kushtohet studimit të kriolitozonës, pjesës së kores së Tokës në Arktik.

Zbulimi sensacional në Gadishullin Jamal i të voglit mamuthit, të ruajtur shumë mirë, ndodhi në maj të vitit 2007. Kafshëzën e gjeti fare rastësisht bariu i drerëve Juri Hudi dhe meqënëse ajo ishte e seksit femër e pagëzuan me emrin Ljuba - për nder të bashkëshortes së Jurit. Paleontologët besojnë se këlyshi i mamuthit nuk ishte më shumë se një muaj kur vdiq, pasi u mbyt në kënetë.

 Ruajtjen unikale të trupit të mamuthit të vogël, që ka qëndruar në robërinë e ngricës së përjetshme rreth 42 mijë vjet, tashmë arritën ta vlerësojnë banorët e shumë vendeve të botës. Mamuthit i janë ruajtur për mrekulli bishti, sytë dhe lëkura e mbuluar me qime, kurse në stomakun e tij u gjetën mbetje të qumshtit të nënës. Turneu botëror i Ljubës filloi në nëntor të vitit 2009 me pjesëmarrjen e saj në ekspozitën shëtitëse të mamuthëve dhe mastodontëve në SHBA.

Fillimisht vogëlushja është transportuar vetëm në temperatura nën zero dhe në mjedis me një lagështi të caktuar. Por pas konservimit, që iu bë nga shkencëtarët e Institutit të Zoologjisë të Akademisë së Shkencave të Rusisë në Shën Petersburg, mamuthi i vogël i Jamalit u bë e mundur të transportohet në gjithë botën pa kurrfarë frike për sigurinë e tij. Dhe kushdo që e sheh trupin pothuajse të paprekur nga koha të kafshëzës bën po të njëjtën pyetje: po përse të mos ndërmerren përpjekjet për klonimin e mamuthëve? Përgjigjen për këtë pyetje e jep anëtari-korrespondent i Akademisë së Shkencave të Rusisë, Drejtori i Institutit të Zoologjisë Oleg Pugaçov:

- Klonimi është i pamundur në këtë rast, sepse nuk ka qeliza të ruajtura plotësisht. Mund të flitet mbi përpjekjet për krijimin e një elefanti transgjenetik, nëse do të deshifrohet (lexohet) gjenomi i mamuthit. Kjo gjë është e mundur teorikisht, kurse vetë klonimi - jo.

Tani Ljuba merr pjesë në ekspozitën paleontologjike ndërkombëtare në Hong Kong dhe si gjithmonë ka një sukses të bujshëm. Vetëm për dy javët e para për të parë eksponatin unikal erdhën mbi 100 mijë vizitorë, ndërsa të gjitha kërkesat për ekskursione u rezervuan brenda 24 orëve pas shpalljes së tyre në faqen e Internetit.

0Mbas përfundimit të konferencës në Salehard mamuthi me famë botërore do të vazhdojë turneun e vet nëpër planet - ai do të dërgohet në Kinë, Indonezi, Singapor dhe vende të tjera. Do ta përfundojë Ljuba udhëtimin e vet botëror në Muzeun e Historisë së Natyrës në Londër në vitin 2014.

Maria Domnickaja