0Tani vëllimi i tregut rus të lojërave online është rreth 670 milionë dollarë, llogariti kompania analiste Json & Partners Consulting. Ky tregues rezulton pak më shumë se 3% - dhjetë herë më pak se në SHBA, që janë lidere të tregut. Megjithatë, lojërat online tashmë janë shndërruar në segmentin më fitimprurës të biznesit rus në Internet.

Deri tani edhe në botë, edhe në Rusi më me sukses shiten lojërat masive online me shumë lojtarë (multiplayers), në të cilat përfshihen dhjetra mijëra pjesëmarrës. Por e ardhmja, shprehen me bindje ekspertët, i përket lojërave shoqërore dhe përmbajtjes celulare (mobile content). Në çdo rast, audienca e lojtarëve (gamers) rritet kryesisht për llogari të përdoruesve të rrjeteve sociale dhe adhuruesve të “lojërave” në celularë. Tani në Rusi të tillë janë 25 milionë qytetarë.

Promotorët kryesorë të argëtimeve online janë rrjetet sociale. Njerëzit shpesh blejnë kompjuter ose laptop për të komunikuar në Internet me shokët online, thotë IT-analisti Sergei Kuzmin. Por në rrjetet sociale ata përballen me tundimin e pashmangshëm të lojërave:

- Çfarëdo lloj rrjeti të marrësh, përdoruesve iu ofrohet vazhdimisht pjesëmarrja në lojëra të ndryshme. Dhe njerëzit me kënaqësi përfshihen në to. Këta përdorues i përkasin grup-moshave të ndryshme. Kur miqtë e Facebook-ut iu dërgojnë një ftesë për të marrë pjesë në aplikacionet e lojërave, është shumë e vështirë ta refuzosh atë.

Sipas parashikimeve të Json & Partners Consulting, për lojërat sociale do të shpenzojnë gjatë vitit të ardhshëm tashmë 23% e lojtarëve ruse.

Argëtimi “epidemik” me lojërat online që tani po i sjell fitime të mëdha prodhuesve të tyre, vë në dukje Sergei Kuzmin:

- Për shembull, në Android një ose dy vjet më parë u bë i mundur shkarkimi falas i lojrave nga Interneti në smartphone dhe përfshirja e menjëhershme në to. Por, në mënyrë që të avancohet më tej, duhet investuar në zhvillimin e personazhit personal apo veprave individuale. Dhe në këtë konsiston paradoksi: personin mund ta frenojë çmimi prej 2-4 dollarë për blerjen e lojës, por nuk e ndalon nevoja për të shpenzuar para akoma dhe më të mëdha gjatë procesit të vetë lojës. Kjo dhe i jep impuls rritjeje tregut.

0Psikologët tashmë po u bien kambanave të alarmit në lidhje me përhapjen masive të epidemisë së manisë së lojërave. Por biznesi ka prioritetet e veta.

Olga Sobolevskaja