0Në kohën e fluturimit të demonstrimit “Sukhoi Superjet-100”, ka shumë mundësi, që të mos ketë shmangur dot kalimin përmes shtresës së dendur të reve, vë në dukje përfaqësuesi i Agjencisë indoneziane Thomas Xhemaluddin. Në rajonin e rrëzimit të avionit rus ndodhet një varg i gjatë malesh të larta që koncentrojnë mbi vete shtëllungat e dendura të reve. Ndërsa rreziku që përbëjnë këto re të dendura për aviacionin tashmë është i njohur fort mirë. Ato mund të arrijnë lartësinë deri në disa kilometra. Ka shumë gjasa që aeroplani rus të jetë përpjekur të anashkalojë retë nga poshtë, por mali Salak doli më i lartë në këtë vend se sa kufiri i poshtëm i reve, konkludon eksperti indonezian.

Retë e ulëta, nga ana tjetër, komplikojnë operacionet e kërkimit, të cilat kanë filluar që të premten (11 maj). Helikopterët e dërguar në vendin e ngjarjes nga Ministria e Situatave të Jashtëzakonshme (MSJ) të Rusisë për këtë arsye nuk kanë mundësi të vëzhgojnë territorin. Ekipet e shpëtimit janë të detyruara të punojnë në vendin e tragjedisë, njoftoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Shefja e Departamentit të Informacionit të MSJ të Rusisë Irina Andrianova:

- Tani shpëtuesit rusë dhe indonezianë po zhvillojnë bashkarisht operacionin për kërkimin e trupave pa jetë të pasagjerëve dhe fragmenteve të aeroplanit. Shpëtuesit rusë kanë një përgatitje mjaft të mirë për punë në terren malor, janë të pajisur me gjithçka të nevojshme për ngjitje alpine dhe për të vepruar në kushte të tilla të vështira.

Përveç operacioneve të kërkim-shpëtimit specialistët e MSJ të Rusisë po punojnë me familjarët dhe të afërmit e viktimave të aksidentit ajror, deklaroi Irina Andrianova:

- Në aeroportin e Xhakartës po punon një grup mjekësh psikologë rusë. Njëkohësisht i jepet ndihmë psikologjike edhe bashkëpunëtorëve të kompanisë ajrore “Sukhoi”.

Shpëtuesit mblodhën në prag edhe tre konteinerë me trupat pa jetë të viktimave të “Superjet-100” - deri tani janë përgatitur 26 të tillë. Identifikimi i tyre po bëhet nga specialistët rusë në bashkëpunim të ngushtë me ata indonezianë.

Problemi më i rëndësishëm tani është gjetja imediate e kutive të zeza (pajisjeve vetëregjistruese të bordit) të “Sukhoi Superjet-100”. Tani për tani shpëtuesit kanë mundur të përcaktojnë vetëm rajonin ku ndodhen ato. Ai është në një grykë mali 500 metra të thellë dhe po atje janë pikasur radio-fari dhe sistemi i matjeve të bordit të aeroplanit. Por ngritja e tyre është e pamundur tani për tani.

0Kutitë e zeza të “Sukhoi Superjet-100” mund të dërgohen për deshifrim në Rusi, njoftuan sot autoritetet indoneziane. Gjithsej në zbardhjen e shkaqeve të rrëzimit të aeroplanit mund të nevojitet një vit kohë. “Sukhoi Superjet-100” u rrëzua më 9 maj në Indonezi. Në bordin e tij ndodheshin 45 persona, duke përfshirë edhe 8 qytetarë rusë.

Aleksandra Dibizheva, Polina Çernica