0MSJ e Rusisë ka nisur në Indonezi aeroplanin e madh të transportit “Il-76” («Ил-76»), në bordin e të cilit ndodhen një helikopter shpëtimi e kërkimi, teknika e nevojshme për punë në kushte të vështira, mjekë e psikologë si dhe një ekip specialistësh të përgatitur për të vepruar në kushte terreni malor, tregoi Drejtori i Departamentit Ndërkombëtar të MSJ të Rusisë Juri Brazhnikov:

- Ky është një grup universal kërkimi e shpëtimi që plotëson të gjitha standartet ndërkombëtare, i gatshëm për zhvillimin e punimeve të kërkim-shpëtimit madje dhe në kushtet më të vështira malore. Siç e dimë tashmë, aeroplani u përplas me një shpat shkëmbor me pjerrësi 70 gradë dhe më pas fragmentet e tij u gjetën në xhungël, në shpatin malor të mbuluar me shkurre e pemë. Në këto rrethana të vështira do të duhet të punojnë shpëtuesit tanë.

Tani të gjitha forcat e kërkimit janë përqendruar në gjetjen e trupave pa jetë të pasagjerëve. Shpëtuesit me ndihmën e pajisjeve alpine po i zbresin kufomat në rrëzë të malit, ndërsa më pas i evakuojnë prej andej me helikopterë. Për identifikimin e tyre do të nevojitet ekspertiza i imtësishme, e plotë mjeko-ligjore.

Një problem tjetër i rëndësishëm është kërkimi i kutive të zeza të avionit. Vetëm pajisjet vetëregjistruese të bordit - të zërit dhe telemetrisë - do të mund të japin një tabllo të qartë të ndodhisë tragjike. Në momentet aktuale po shqyrtohen disa versione - që nga disfunksionimi i aparaturave, gabimet e pilotit e deri tek sulmi i planifikuar terrorist. Megjithatë, sipas mendimit të pilotit-kolaudator rus Vladimir Birjukov, i cili pat testuar së bashku me komandantin e aeroplanit Aleksandër Jablloncev “Sukhoi Superjet-100”, gabimi i pilotit përjashtohet krejtësisht:

- Ai - pra Aleksandër Jablloncev - ishte piloti kryesor kolaudator i këtij avioni. Ai kishte një përvojë të madhe fluturimi me aeroplanët A-320, analogjikë me “Superjet-100” përkatësisht sistemit të drejtimit. Aleksandër Jablloncev ishte i pari që e ngriti në ajër atë dhe ka kryer më shumë fluturime se kushdo tjetër me këtë aeroplan. Më mirë se ai nuk e njihte askush tjetër “Sukhoi Superjet-100”.

Grupit hetimor do t’i duhet të merret edhe me dispeçerat që ndoqën fluturimin e aeroplanit. Si është e mundur që specialisti vendas (indonezian), i cili njeh për mrekulli të gjitha veçoritë e pejsazhit të zonës, t’i jepte leje pilotit rus për ulje deri në nivelin nën lartësinë e maleve? Kjo çështje do të jetë një nga më të rëndësishmet gjatë zbardhjes së shkaqeve të tragjedisë.

0Aeroplani rus “Sukhoi Superjet-100” humbi nga ekranët e radarëve më 9 maj, gjatë fluturimit të demonstrimit në kryeqytetin e Indonezisë - Xhakartë. Më vonë u gjetën fragmentet e tij nga përplasja me shpatin e thepisur të malit Salak në lartësinë 1.600 metra. Në bordin e aeroplanit ndodheshin 45 persona: 8 qytetarë rusë si dhe shtetas të Indonezisë, SHBA, Italisë dhe Francës.

Natalia Kovalenko