0Një ditë më parë në qytetin jugor Dara pranë autokolonës së vëzhguesve të OKB-së shpërtheu një bombë. Si rezultat u plagosën 10 ushtarë sirianë. Pas valës së re të sulmeve terroriste qëndrojnë në mënyrë mëse evidente grupet opozitare, të cilat nuk pajtohen me planin e të Dërguarit të posaçëm të OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe Kofi Annan, mendon eksperti i Institutit të Studimeve Orientale Aleksei Podtserob:

- Dështimi i përpjekjeve të misionit të vëzhguesve të OKB-së dhe Lidhjes së Shteteve Arabe i intereson pikërisht opozitës. Selefitët sirianë as që e fshehin fare këtë, duke deklaruar se ata do të vazhdojnë luftën deri në fitoren përfundimtare. Taktika e tyre ka për qëllim provokimin e veprimeve luftarake në shkallë të gjerë. Ata shpresojnë shumë të marrin nën kontroll ndonjë qytet të madh si Homs apo Hama, ta shpallin atë kryeqytet të revolucionit, siç ndodhi kjo në Benghazi të Libisë, dhe t’i drejtohen më pas për ndihmë Turqisë apo Perëndimit.

Që nga momenti i hyrjes në fuqi të armëpushimit në vend kanë gjetur vdekjen më shumë se 800 veta, ndërsa për gjithë periudhën e konfliktit - 12 mijë. OKB-ja paralajmëron mbi rrezikun real të shpërthimit të luftës civile në shkallë të gjerë, nëse nuk do të ndalohet eskalimi i dhunës. Por shkaqe të brendshme për një luftë të tillë në Siri thjesht nuk ka, shprehet me bindje të plotë eksperti i Institutit të Studimeve Orientale Boris Dollgov:

- Arsyeja kryesore e dhunës së vazhdueshme në Siri është pikërisht mbështetja e grupimeve antiqeveritare nga jashtë. Nga ana e vendeve fqinje - Turqia, Libani, Jordania, monarkitë e Gjirit Persik. Shumica e popullsisë siriane - fakt ky që njihet edhe nga ekspertët e huaj - mbështet Presidentin aktual Bashar Al-Assad. Lufta civile nga brenda Sirisë nuk mund të fillojë. Por nga jashtë, me ndihmën dhe mbështetjen e forcave të jashtme, është plotësisht e mundur.

Meqë ra fjala, Komandanti i “Ushtrisë së Lirë Siriane” të opozitës Riad Assad nuk e fsheh aspak se mezi po pret rifillimin e veprimeve luftarake kundër forcave qeveritare. Menjëherë pas shpërthimeve të ditës së enjte ai premtoi ta bëjë pa mënuar këtë gjë, nëse Kofi Annan do të shpallë dështimin e iniciativës paqësore.

0Ndërkohë Annan ka plane krejtësisht të tjera. Gjatë vizitës së vet të dytë në Siri në javët e afërta ai ka ndërmend të verifikojë personalisht punën e vëzhguesve të OKB-së. Numri i tyre aty nga fundi i muajit do të arrijë deri në 300 veta. Mediat perëndimore shkruajnë se “efekti qetësues” madje dhe nga prania e 113 vëzhguesve aktualë është tej mase i rëndësishëm. Kështu që shanset për zgjatjen e paqes së brishtë në këtë vend ekzistojnë megjithatë. Në këto kushte bëhet akoma dhe më e nevojshme marrja parasysh e faktit, se Siria ka bërë një hap përpara në rrugën e zgjidhjes politike të konfliktit: për herë të parë pas shumë vitesh u mbajtën mbi bazë multi-partiake zgjedhjet parlamentare. Ndërsa zvarrisja e shpalljes së rezultateve të tyre nga ana e autoriteteve shpjegohet me arsye thjesht teknike, mendojnë ekspertët tanë. Për KQZ-në ishte i pazakontë dhe i vështirë numërimi i votave të dhëna nga zgjedhësit për parti të ndryshme. Përveç kësaj, për shkak të shkeljeve në disa qarqe dhe qytete lindi nevoja e zhvillimit të zgjedhjeve lokale të përsëritura.

Boris Pavlishiev