0Solemnitetet e rastit u ndoqën nga disa mijëra veteranë të luftës, udhëheqës politikë dhe ushtarakë të Rusisë, mysafirë të huaj.

Parada filloi me tingujt e këngës legjendare të Aleksandër Aleksandrovit me titull “Lufta e Shenjtë”, e cila u ekzekutua nga orkestra e kombinuar ushtarake e përbërë prej 1000 muzikantësh. Në këtë moment në Sheshin e Kuq mbretëroi heshja: kjo këngë shkakton tek të gjithë të pranishmit ndjenjën e krenarisë për vendin-fitues të luftës dhe pikëllimit të thellë për të rënët në luftën më barbare në gjithë historinë e njerëzimit.

Pjesëmarrësve dhe mysafirëve iu drejtua Presidenti i Rusisë, Kryekomandanti Suprem  Vladimir Putin:

- Të nderuar qytetarë të Rusisë, të dashur veteranë, shokë ushtarë e marinarë, rreshterë e kapterë, ndihmësoficerë të marinës e nëntogerë. Shokë oficerë e admiralë ju uroj me rastin e Ditës së Fitores, Festës së lavdisë e triumfit të popullit tonë, ditës së kujtimit, krenarisë e pikëllimit, që bashkon sot gjithë qytetarët e Rusisë. 67 vjet më parë u shpartallua nazizmi, kjo forcë e tmerrshme dhe cinike. Dhe ne nuk kemi të drejtë të lëmë në harresë se si lindi ajo, si erdhi duke marrë forcë e duke u bërë e paturpshme, e papërmbajtshme në sytë e gjithë botës. Se si barbarët kishin ndërmend të asgjësonin totalisht kombe të tëra, të bëheshin përcaktues të fateve të shteteve dhe kontinenteve. Duhet të pranohet edhe një herë se qëllimet agresive të nazistëve nuk morrën kundërpërgjigje kolektive në kohën e duhur, se veçimi, izolimi i vendeve, dyshimet e tyre reciproke dhe konfrontimi ideologjik nuk lejuan parandalimin e  Luftës së Dytë Botërore. Dhe njerëzimi u detyrua të paguajë një çmim jashtëzakonisht të shtrenjtë për këtë. Por më pas ndodhi ajo që dhe duhej të ndodhte në mënyrë të pashmangshme. Mbizotëroi përgjegjësia dhe vendosmëria e përbashkët për të mposhtur të keqen.

Për herë të parë në Paradën e Fitores mbi kalldrëmin e Sheshit të Kuq parakaluan automjetet e reja të blinduara “Rris” (“Рысь”), me të cilat po pajisen aktualisht forcat e armatosura të Rusisë. Të pranishmit patën mundësi të shikojnë tanket T-90, armatimet vetëlëvizëse artilerike “Msta-S” («МСТА-С»), komplekset raketore zenit “Buk-M2” («Бук-М2»), sistemet e lëshimit të komplekseve raketore S-400. Ndoshta më impesionuese për të gjithë u bënë sistemet e lëshimit të komplekseve raketore “Iskander-M” («Искандер-М») dhe “Topol-M” («Тополь-М»). 5 helikoperë Mi-8 («Ми-8») përfunduan demonstrimin e teknikës ushtarake duke fluturuar me shpejtësi 100 kilometra në orë mbi Sheshin e Kuq me respektimin e distancës 50 metra larg njëri tjetri.

Veteranët e pranishëm në Paradën e Fitores patën mundësi jo vetëm të kujtonin vitet e luftës e të uronin njëri-tjetrin, por dhe të diskutonin çështjet bashkëkohore, duke përfshirë edhe politikën botërore. Ata ditën të ruajnë frymën luftarake dhe të mbajnë gjallë interesin ndaj gjithçkaje që ndodh në Rusi dhe përtej kufijve të saj.

Ilia Harllamov