0Gjatë viteve të luftës në territoret e Gjermanisë dhe vendeve të okupuara kanë vepruar mbi 14 mijë kampe vdekjeje. Nëpër to kanë kaluar 18 milionë njerëz, prej të cilëve 5 milionë - qytetarë të Bashkimit Sovjetik.

67 vjet më parë makina e madhe gjigande, monstruoze naziste u arrit të frenohet dhe të shpartallohet. Ushtarë të kombësive të ndryshme luftuan sup më sup dhe fituan luftën. Në arritjen e Fitores së Madhe mbi murtajën kafe një kontribut të paçmuar dhanë popujt e Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë dhe republikave të tjera të ish Bashkimit Sovjetik, të cilët flijuan në këtë luftë 27 milionë jetë bij e bijash të veta. Në luftën e tensionuar, të ashpër kundër hitlerianëve ata mbrojtën jo vetëm Atdheun e tyre, por çliruan edhe shumë shtete të Evropës. Ne nuk do ta harrojnë kurrë kontributin që dhanë në arritjen e fitores dhe popujt e vendeve të tjera të Koalicionit Antihitlerian - SHBA, Britanisë së Madhe, Francës dhe më tepër se 50 shteteve të tjera. Dhe si rezultat i përpjekjeve e sakrificave të përbashkëta të pashembullta në Berlin u nënshkrua Akti mbi Kapitullimin pa kushte të Gjermanisë fashiste. Dhe ja për të 67-in vit me radhë në këtë ditë të çlirimit bota nderon veteranët e frontit dhe të prapavijës, të cilët arritën Fitoren e Madhe, kujton ushtarët e rënë në fushat e betejave dhe banorët paqësorë viktima të luftës dhe fashizmit.   

Sipas traditës së hershme në Ditën e Fitores në Sheshin e Kuq të Moskës zhvillohet programi solemn "Për nder të kujtimit të atyre viteve të lavdishme". Ndërsa të gjitha kanalet televizive kryesore të Rusisë tregojnë Zjarrin e Amëshuar që flakëron pranë përmendores kryesore të ngritur për nder të Fitores - Varrit të Ushtarit të Panjohur rrëzë murit të Kremlinit.  

Zjarri i Amëshuar ... Atë s'do ta fryjnë dot erërat, nuk do ta shuajnë dot shirat, nuk do ta fikë dot koha. Dridhja e gjallë e Zjarrit të Amëshuar mishëron kujtimin e pavdekshëm, nderimin dhe mirënjohjen e përjetshme të të gjallëve ndaj atyre që s'janë më midis nesh. Me dritën e flakës së tij, me dritën e pikëllimit, trishtimit dhe dashurisë sonë ndriçohen emrat e të rënëve.  

Në vendin tonë s'ka familje që të mos ketë humbur në vitet e luftës të afërmit e vet. Nuk ka shtëpi që të mos jetë prekur nga brenga e hidhërimi. Në këtë ditë ne kujtojmë ata që u përleshën me armikun në frontet e luftës, që luftuan në radhët e njësive partizane, që punuan me vetmohim në prapavijë - të gjithë ata të cilët nuk kursyen forcat, shëndetin dhe jetën e vet në emër të Fitores. 

Përpara kujtimit të ndritur të atyre që në emër të Atdheut tonë të përbashkët - planetit Tokë - flijuan jetën e vet me qëllim që të forconin vëllazërimin, afërinë shpirtërore, le të përpiqemi të mishërojmë në jetë ëndërrat e të rënëve për lumturinë e thjeshtë njerëzore të brezave të ardhshëm. Për ne me ju, o njerëz!  

Në këtë ditë shprehet në çdo familje, buron nga çdo zemër njerëzore mirënjohja e përjetshme ndaj atyre që nuk u kthyen nga lufta. Në të gjithë tempujt e kishat e shumë vendeve të botës, në të gjitha gjuhët e njerëzve që jetojnë në të, tingëllojnë fjalët e lutjeve të përshpirtjes. Ato mund të jenë të ndryshme për çdo konfesion, por megjithatë kuptimi i tyre është i njëjtë: "Në mbretërinë Tënde të lumturuar hyjnore prehje të përjetshme falu, o Zot, robërve të Tu të ndjerë që gjakun e vet derdhën dhe jetën e tyre flijuan në fushën e betejës! Dhuroi atyre me bujari kujtimin e përjetshëm! Qoftë i nderuar kujtimi i tyre brez pas brezi! I pavdekshëm le të mbetet kujtimi i tyre!"