0Akullnajat e Alltaj filluan të shkrijnë në mes të shekullit XIX dhe gjatë kësaj kohe janë tërhequr me 1.5 ose 2 kilometra. Në vit zhduken rreth 10-15 metra akull, tregoi për “Zërin e Rusisë” docenti i Fakultetit të Gjeografisë të Universitetit Shtetëror të Alltait Oleg Ostanin:

- Kjo tendencë përfshin luginat dhe akullnajat më të mëdha. Kohët e fundit akullnajat po fillojnë të shkrijnë me shpejtësi shumë të madhe. Për shembull, në vitin 2008 akullnaja Sofia ka shkrirë me shpejtësi 40 metra në vit. Ky është një tregues mjaft i lartë.

Sipas mendimit të shkencëtarëve, arsyeja e tërheqjes së akullnajave qëndron në ngrohjen globale të klimës. Temperatura mesatare në Alltaj është rritur për 100 vjet me 1.5 gradë. Ndërkohë vihet re rritja e dinamikës së këtij procesi. Sipas parashikimeve, gjatë 10 viteve të ardhshme tërheqja e akullnajave do të vazhdojë madje me shpejtësi më të madhe se tani. Me çfarë pasojash është e mbarsur shkrirja e akullnajave? Në radhë të parë kjo do të ndikojë në gjendjen e lumenjve, shpjegon Oleg Ostanin:

- Kjo mund të ushtrojë ndikim në zhvillimin e bujqësisë, sepse tokat bujqësore janë të lidhura me arteriet ujore. Ndërsa akullnajat janë burimi kryesor ujor për rajonin në fjalë. Një pjesë të madhe të burimeve ujore e sigurojnë shtresat e dëborës, uji i përftuar nga shkrirja e akullit, reshjet, por bazë e furnizimit të lumenjve me ujë, sidomos atyre malorë, janë megjithatë akullnajat.

Të dhënat e klimatologëve dëshmojnë se në Tokë në mënyrë të pandalshme po vazhdon ngrohja e klimës gjatë 150 viteve të fundit. Ndërsa para kësaj është vënë re, përkundrazi, ftohja. “Luhatje” të tilla klimatike, theksojnë shkencëtarët, janë krejtësisht normale për natyrën. Për shembull, nga shekulli VII deri në shekullin XII ka patur një ngrohje madje edhe më të fuqishme se tani. Megjithatë në kushtet aktuale në luhatjet e natyrshme të temperaturës luan rol të ndjeshëm edhe faktori njeri - ndikimi antropogjenik i qytetërimit modern. Dhe prandaj shkenca vëzhgon me vemendje të madhe shpejtësinë e shkrirjes së akullnajave. Ky proces ka jo vetëm minuset por edhe pluset e veta, thotë Oleg Ostanin:

Pas tërheqjes së akullnajave kufiri i sipërm i pyjeve po fillon të ndryshojë gjithashtu. Masivet pyjore ndjekin gradualisht akullnajat. Rrjedhimisht, vëllimi i masiveve pyjore do të rritet. Ndërsa shtimin e pyjeve do ta pasojnë edhe peisazhe të tjera.

Si do të shkojë ky proces, shkencëtarët nuk janë të gatshëm ta parashikojnë. Megjithatë, dukuri të tilla është e domosdoshme të monitorohen vazhdimisht, shprehen me bindje ata. Sepse dihet që në botën e gjallë çdo gjë shkon në ndërlidhuri: ndryshimi i një faktori në mënyë të pashmangshme do të ndikojë në gjithë të tjerët.

Elena Kovaçiç