0Nën tingujt e “Marshit Solemn” të Pjotër Çajkovskit fiks në mesditë Vladimir Putin hyri në Sallën Andrejevskij (Андреевский Зал) të Pallatit të Madh të Kremlinit. Presidenti veprues deri në atë moment Dimitri Medvediev iu drejtua pasardhësit të tij dhe të pranishmëve me fjalën e vet:

- Hyrja në detyrë e presidentit të zgjedhur shënon gjithmonë fillimin e një etape të re në jetën e Rusisë dhe në historinë e saj. Presidenti është kryetar i shtetit, garant i Kushtetutës, të drejtave dhe lirive të njeriut dhe qytetarit. Pikërisht këto detyra kanë qenë prioritare për mua si president. Unë kam punuar, siç dhe pata premtuar gjatë bërjes së betimit mbi Kushtetutë, në mënyrë të hapur dhe ndershmërisht në interes të njerëzve, duke bërë ç’është e mundur për të siguruar që ata të ndihen të lirë dhe të shikojnë të sigurt të ardhmen. Ne arritëm të bëjmë shumë. Por mbeten ende mjaft gjëra për tu bërë. Dhe unë jam i gëzuar që sot President do të bëhet Vladimir Putin, i cili është njeri me përvojë dhe lider i fortë, që mbështetet nga shumica e qytetarëve të vendit tonë. I uroj Vladimir Putinit suksese në postin e Presidentit të Rusisë.

Në përgjigje Putin artikuloi fjalët e betimit, duke vënë dorën e dhjathtë mbi ekzemplarin e përgatitur posaçërisht për këtë rast të tekstit zyrtar të Kushtetutës së Federatës Ruse:

- Betohem të respektoj dhe të mbroj gjatë ushtrimit të kompetencave të Presidentit të Federatës Ruse të drejtat e liritë e njeriut dhe qytetarit, të bëhem garant i respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës të Federatës Ruse, të  mbroj sovranitetin dhe pavarësinë, sigurinë dhe integritetin e shtetit, t’i shërbej besnikërisht popullit”.

Pak minuta më vonë, pasi hyri zyrtarisht në detyrën e Presidentit, Vladimir Putin e pa të arsyeshme të shtojë si më poshtë vijon:

- Unë e kuptoj për mrekulli gjithë përgjegjësinë time para Rusisë. Interesat e saj, siguria, mirëqënia e qytetarëve të vendit kanë qenë dhe do të mbeten përherë për mua mbi gjithçka tjetër. Do të bëj gjithçka të mundur për të justifikuar besimin e miliona qytetarëve tanë. Vitet e ardhshme do të jenë me rëndësi vendimtare për fatin e Rusisë në dekadat që do të vijnë dhe ne të gjithë duhet të perceptojmë qartë se jeta e brezave të ardhshëm, perspektiva historike e shtetit dhe kombit tonë varen sot pikërisht nga ne, nga këmbëngulja e vendosmëria jonë për ngritjen, sistemimin e hapësirave të pamata ruse nga Balltiku e deri në Oqeanin Paqësor, nga aftësia jonë për tu bërë liderë dhe qendër tërheqëse për gjithë rajonin e Euroazisë. Ne do t’i arrijmë qëllimet tona nëse do të jemi një komb i bashkuar dhe koheziv, në qoftë se Atdheu ynë do të jetë me të vërtetë i shtrenjtë për ne, nëse do të forcojmë demokracinë ruse, të drejtat dhe liritë kushtetuese. Ne atëhere do të arrijmë patjetër suksesin e dëshiruar.

0Putini korri fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, i cili u mbajt më 4 mars, duke i siguruar vetes më shumë se 63% të votave të elektoratit. Ky është inaugurimi i tretë i tij. Më parë ai është zgjedhur në postin e Kryetarit të Shtetit në vitin 2000 dhe në vitin 2004. Por kësaj here Presidenti vjen në detyrë për një mandat 6 vjeçar dhe jo 4-vjeçar si më parë.

Natalia Kovalenko