0Nëse do të ndodhë apo jo përplasja e “Apophis” me Tokën do të bëhet e ditur në vitin 2029. Atëhere asteroidi, i cili rrotullohet gjithashtu rreth Diellit, do t’i afrohet planetit tonë në një distancë shumë të afërt - rreth 30.000 kilometra. Pasi të hyjë në fushën gravitacionale të Tokës, asteroidi “Apophis” mund të ndryshojë trajektoren e vet dhe pas 7 vjetësh, kur të ndodhë përafrimi i radhës, dhe ka mundësi të ndodhë katastrofa, paralajmëron eksperti për rreziqet kërcënuese kozmike Sergei Naroenkov:

- Përmasat e asteroidit “Apophis” vlerësohen tani rreth 230-300 metra. Gjatë rënies së një trupi të tillë qiellor në Tokë parashikohet katastrofë e shkallës rajonale. Nëse bie në sipërfaqe të fortë asteroidi mund të sjellë shkatërrime deri në një distancë 100 kilometra nga vendi i rënies. Plus, natyrisht, tërmete deri në 7 ballë sipas shkallës Rihter. Në qoftë se “Apophis” do të bjerë në ujë, atëhere do të krijojë cunami.

Ekspertët janë fort të preokupuar dhe që tani kanë filluar ta vrasin mendjen se si të shmanget për njerëzit rreziku kërcënues i këtij asteroidi. Variante ka shumë, duhet thënë. Mund të ngjyhet njëra anë e asteroidit me bojë të bardhë. Ngjyra e bardhë reflekton dritën, rrjedhimisht rrezet e diellit do të ngrohin në mënyrë jo të njëtrajtshme sipërfaqen e asteroidit “Apophis”, gjë kjo që do të sjellë si rezultat ndryshimin e trajektores së fluturimit të tij. Mund të hidhet asteroidi në erë. Por kjo është e mbarsuar me rrezikun e depërtimit të fragmenteve të vogla të tij në atmosferë dhe atëhere pasojat në Tokë do të jenë akoma dhe më serioze. Opsioni më realist është lëshimi i “tërheqësit të rëndë”, i cili do ta rimorkiojë pas vetes asteroidin, mendon Sergei Naroenkov:

- Ky është një aparat që do të vendoset pranë trupit të vetë asteroidit. Ai do të krijojë trazime (turbulenca) jo të mëdha në orbitën e asteroidit. Duke telekomanduar këtë aparat mund të zhvendoset paksa asteroidi me qëllim të shmangies së trajetoreve të rrezikshme. Domethënë të arrihet pikësynimi që asteroidi ose të kalojë pak më parë në vendin e përplasjes së supozuar me Tokën, ose më vonë.

0Por ky projekt duhet lançuar që tani, meqenëse realizimi i tij do të marrë shumë kohë. Në vitin 2029, kur do të mund të vlerësohen me saktësi më të madhe shanset e përplasjes së asteroidit “Apophis” me Tokën, do të jetë tashmë vonë për nisjen e “tërheqësit të rëndë”, paralajmëron shkencëtari rus. Aktualisht mundësia e përplasjes së “Apophis” me Tokën vlerësohet si 1:250 mijë.

Natalia Kovalenko