0Numri i grave shtëpiake në Rusi sa vjen e pakësohet. Kjo tendencë vërehet që nga mesi i shekullit të kaluar. Disa prej tyre i shndërroi në shtyllë kryesore të familjes Lufta e Dytë Botërore. Dikush vullnetarisht zgjodhi karrierën. Tani, në shekullin e 21, ekonomia nuk mund të përfytyrohet pa idetë e femrës, vë në dukje sociologia e problemeve të gjinive Olga Zdravomisllova:

- Ekonomia moderne është e ndërtuar në një masë të konsiderueshme dhe në fushën e shërbimeve në bazë të profesioneve humanitare, në të cilat gratë tradicionalisht janë të suksesshme.

Në Rusi fusha kryesore të dominimit të femrave janë konsideruar zakonisht arsimi dhe mjekësia. Megjithatë femrat e hodhën poshtë këtë stereotip, duke gjetur përdorim të talenteve të tyre pothuajse në të gjitha fushat - që nga politika e deri te kozmosi. "Femrat janë të pranishme edhe në parlament, edhe në qeveri, por sipas studimeve tona, vetë ato nuk votojnë me ndonjë dëshirë të madhe për politikanet femra" - mendon bashkëpunëtori i Institutit të Sociologjisë Vladimir Petuhov.

Ekspertët thonë se është plotësisht e mundur që së shpejti paragjykime të tilla gjinore në shoqëri të kapërcehen. Sepse, për shembull, në biznes që tani evidentohet kërkesë e veçantë për cilësitë natyrore femërore, thotë psikologia Olga Mahovskaja:

- Në shumë projekte kërkohet nga zbatuesi qëndrimi serioz, i përgjegjshëm ndaj punës, aftësia për punë rutinë dhe për gjetje kompromisi.

Por gjatë kësaj ambiciet për karrierë nuk i venë aspak kryq kujdesit për familjen. Shumë gra tani marrin mbi vete një rol të dyfishtë: bashkëshorte e nëna dhe në të njëjtën kohë menaxhere, thotë sociologu Vladimir Petuhov:

- Tani gratë mund t’i lejojnë vetes kombinimin e suksesshëm të punës dhe jetës familjare pa krijuar kurrëfarë problemesh të veçanta, sidomos nëse meshkujt janë të gatshëm të ndajnë përgjegjësitë familjare me bashkëshortet e tyre.

Megjithatë, një tablo e tillë e jetës së lumtur familjare për shumë bussines-lady është e panjohur, thonë ekspertët. Disa prej tyre janë nëna vetmitare të divorcuara, ndërsa një pjesë tjetër nuk kanë qenë kurrë të martuara, duke e shtyrë për në kohëra më të mira krijimin e familjes dhe lindjen e fëmijëve. Dhe kjo situatë është plotësisht e kuptueshme. Karrieristet shpesh "e djegin veten" emocionalisht në punë dhe aty nga mosha 30-35 vjet ato e kanë gjithnjë e më të vështirë të bien në dashuri, thotë Olga Mahovskaja:

- Femra të tilla janë shumë nervoze, i acaron gjithçka. Ato duan që të tjerët t’i dëgjojnë, t’u nënshtrohen disa kritereve objektive. Ato veprojnë në marrëdhëniet private, po ashtu si dhe në mjedisin e rreptë të biznesit.

Rreth këtyre grave, si përfundim, mund të krijohet e ashtuquajtura "tokë e djegur". Megjithatë, është i mundshëm edhe një skenar tjetër, thotë Olga Mahovskaja. Parimet e jetës mund të ndryshojnë: "Aspiratat e karrierës fillimisht rriten, ndërsa më pas ato bien dhe nisin të përputhen disi me vlerat familjare".

0Në çdo rast, komplikimi i rolit të gruas moderne është "fakt kokëfortë" me të cilin do të duhet të pajtohemi. Të kthehen ndryshimet gjinore prapa - pra, të shndërrohet femra sërish vetëm në një shtëpiake - tashmë është krejtësisht e pamundur. "Burrat dhe gratë që prej kohësh nuk i shohin më rolet e tyre si diçka të parapërcaktuar nga natyra, - përfundon sociologia Olga Zdravomisllova. - Ata ndryshojnë marrëdhëniet e tyre, janë në gjendje në disa gjëra të zëvendësojnë njëri-tjetrin. Dhe kjo është një gjë mëse normale".

Olga Sobolevskaja