0Në këtë dokument është fiksuar se italianët do të marrin qasje në përpunimin e projekteve të shelfeve (në det të hapur) të Detit të Zi dhe Detit Barenc, kurse “Rosneft”, nga ana e vet, do të marrë pjesë në projektet ndërkombëtare të ENI-t. Dy kompanitë ranë dakord gjithashtu për shkëmbimin e ndërsjelltë të teknologjive.

Sipas vlerësimeve paraprake, investimet e përbashkëta të dy kompanive vetëm në fazën e eksplorimit gjeologjik do të përbëjnë rreth 2 miliardë $. Potenciali total i rezervave të vendburimeve, që kompania do të përvetësojë në Rusi, tejkalon shifrën 35 miliardë fuçi. Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për ENI-n, theksoi në intervistën e vet dhënë Radiokompanisë “Zëri i Rusisë” Drejtuesi i Departamentit të Analizës të Fondit Kombëtar të Sigurimit të Energjisë Aleksandër Paseçnik:

- Për italianët ky është zgjerim i bazës së burimeve. Në Rusi ajo vazhdon të mbetet tani për tani një nga më të mëdhatë. Sidomos duke patur parasysh pikërisht potencialin e shelfit (det i hapur). Prandaj, në aspektin e strategjisë, kjo logjikë e ENI-t është plotësisht e justifikuar. Veçanërisht nëse merret në konsideratë edhe fakti, se “Rosneft” ka në Tuapse një rafineri të madhe nafte. Në këtë rast ajo mund të kursejë në logjistikë.

Ekspertët vënë në dukje, se në vendimin e ENI-t për të marrë pjesë në projektet e përbashkëta ndikuan deklaratat e qeverisë së Rusisë rreth preferencave për kompanitë që operojnë në det të hapur. Ndër këto preferenca mund të përmendet, në radhë të parë, taksa zero e eksportit. Vetëm ky hap do të zvogëlojë pothuajse dy herë shpenzimet e investitorëve. Partneriteti strategjik ka një rëndësi të veçantë, theksoi Ministri i Jashtëm i Italisë gjatë vizitës së vet të javës së kaluar në Moskë. Ja komenti i Aleksandër Paseçnik:

- ENI është partner strategjik. Plus kësaj, ajo është një kompani pararojë në fushën e përvetësimit të shelfeve. Neve na mungon baza moderne teknologjike, e cila mundëson realizimin e projekteve të komplikuara në shelfe. Prandaj bashkëpunimi është me perspektivë.

0Në këmbim të ofrimit të qasjes italianëve në shelfin rus “Rosneft” do të marrë pjesë në projektet ndërkombëtare të ENI-t. Këto janë edhe Afrika, edhe Evropa Veriore, edhe Azia. Por tani për tani nuk është njoftuar asgjë mbi projekte konkrete. Sidoqoftë, ekspertët e vlerësojnë jashtëzakonisht lart potencialin e bashkëpunimit. “Rosneft” jo vetëm po diversifikon biznesin e vet duke dalë përtej kufijve kombëtarë. Fjalë bëhet mbi transformimin gradual të kompanisë ruse në një lojtare globale.

Polina Çernica