0Rusia ka dhënë një kontribut shumë të madh në zhvillimin e aviacionit botëror. Krijimi për herë të parë në botë i avionëve me shumë motorë, fluturimet në distancat krejt të largëta gjatë viteve ’30 e nxorrën aviacionin vendas në pozita pararojë. Gjatë Luftës së Madhe Patriotike luftëtarët e FUA-së arritën të thyejnë zhvillimin e betejës në ajër dhe të shpartallojnë një armik të fuqishëm dhe të pajisur mirë.

Gjatë viteve të Luftës së Ftohtë luftëtarët e FUA-së dhe Forcat e Armatosura të Mbrojtjes Kundërajrore (FAMK) të Bashkimit Sovjetik (BS-së) kanë dhënë një kontribut vendimtar në garantimin e sigurisë së vendit. Aviacioni i distancave të largëta u bë njëra prej shtyllave të triadës së raketave bërthamore, ndërsa humbjet e mëdha, që pësuan SHBA-ja dhe aleatët e tyre në Kore, Vjetnam dhe në konflikte të tjera lokale gjatë viteve ’50 -’70, demonstruan aftësinë e BS-së, që në mënyrë të pavarur të krijojë dhe të prodhojë teknikën më bashkëkohore të aviacionit dhe të sistemeve të Mbrojtjes Kundërajrore (MK).

Pas shpërbërjes së BS-së, FUA-ja dhe MK-ja e Rusisë përjetuan kohëra të vështira. Duke humbur një numër të madh të bazave dhe aerodromeve, shkurtimin në numër të teknikës bashkëkohore, uljen e konsiderueshme të potencialit të MK-së, e gjithë kjo pra, ndikoi seriozisht në mundësitë e Forcave të Armatosura në tërësi.

Megjithatë, FUA-ja dhe MA-ja, duke u unifikuar, ruajtën potencialin për zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Me fillimin e rifinancimit të porosive shtetërore dhe teknologjive të reja lindi perspektiva e riarmatosjes së njësive të FUA-së dhe MA-së me teknikë të re. Filloi, gjithashtu, modernizimi i pajisjeve në disponim. Sipas programit shtetëror të armatimit për vitet 2011-2020, FUA-ja e Rusisë duhet të pajiset me rreth 600 avionë të rinj dhe me më shumë se 1000 helikopterë të rinj të të gjitha tipeve, çka lejon të përtërihet përbërja e tyre deri në masën 70%. Një rritje e ngjashme e kësaj përtëritjeje i përket edhe njësive të MA-së.

Perspektivat e riarmatosjes së FUA-së dhe MA-së planifikohet të shqyrtohen me 16 maj në një “tryezë të rrumbullakët” në Radiokompaninë “Zëri i Rusisë”, ku do marrin pjesë ekspertët më të njohur rusë në fushën e aviacionit. Materialet e këtij diskutimi do të paraqiten në sitin e “Zërit të Rusisë”.