0Programet e serisë RUST (Llogaritjet e stabilitetit) janë fryt i përpjekjeve shumëvjeçare të specialistëve të Institutit të Projektimit të Moskës “Giproreçtrans”. Bazë e këtij përpunimi u bënë studimet e më shumë se 1.000 shpateve të rrezikshme. Programi kërkon dhe përcakton sipërfaqet ku ka më shumë probabilitet të rrëshqasë toka, thotë Drejtori i Institutit “Giproreçtrans” Vladimir Rudometkin:

- Unikaliteti i tij konsiston në faktin se shtrirja gjeografike e shpateve të përfshira në studim është praktikisht e pakufizuar. Domethënë, ne për një herë të vetme, gjë që se bën asnjë program tjetër, llogarisim se çfarë do të ndodhë me shpatin në qoftë se do të ketë rrëshqitje toke si dhe zgjidhim njëkohësisht detyrën e parashikimit se çdo të ndodhë me ndërtesën e vendosur në këtë shpat.

Përparësia e dytë e programit RUST është aftësia për të marrë parasysh aktivitetin sizmik në rajon. Për shembull, nëse punët zhvillohen në bregdetin e Detit të Zi, atëhere programi adoptohet me treguesit e këtij rajoni, ndërsa gjatë vlerësimit të rrezikut të rrëshqitjeve të tokës në Lindjen e Largët merr parasysh veçoritë lokale të aktivitetit të kores së tokës. Ekziston edhe një plus tjetër, programi jo vetëm që parashikon probabilitetin e rrëshqitjeve të tokës, por dhe ndihmon për të luftuar me to, thekson Vladimir Rudometkin:

- Ne themi se çfarë duhet bërë për parandalimin e dëmit. Domethënë çfarë masash paraprake duhen marrë që të eliminohen pasojat negative: ku të vendosen pilota betoni apo druri, ku mund të zgjidhet problemi vetëm me tërheqjen e rrjetave mbrojtëse nga erozioni i tokës apo thjesht të futet ekskavatori për zbutjen e relievit të thepisur të shpatit. Në varësi të situatës ne ofrojmë rrugëzgjidhjet përkatëse.

Sipas fjalëve të Drejtorit të Institutit, profesionistët e kësaj fushë e vlerësuan mjaft lart serinë e programeve RUST. Së fundmi ajo iu paraqit specialistëve të kompanive kryesore ruse të projektimit dhe ndërtimit. Në një të ardhme të afërt do të bëhet promovimi i saj për vendet e huaja. Më tepër interes ky program do të ngjallë në Amerikën Latine, në Afrikë dhe Kinë, pasi në këto vende problemi i rrëshqitjeve të tokës është mjaft i mprehtë. Metoda tashmë ka kaluar provat në disa rajone ruse. Duke u bazuar në të janë ndërtuar ura dhe rrugë në një sërë qytetesh të Rusisë si dhe rrjetet e tubacioneve në rajonin e Krasnodarit, në Tartarstan dhe Siberinë Perëndimore.

Elena Kovaçiç