0Parku “Dendrarij”, i themeluar në vitin 1892, numëron më shumë se 2 mijë lloje bimësh të rralla dhe ekzotike, të cilat janë sjellë nga skaje të ndryshme të botës. Përveç florës kopshti botanik krenohet me kafshët dhe zogjtë e rrallë si dhe me teleferikun që mundëson vizitorët të shikojnë peisazhe mbresëlënëse malore dhe detare nga platforma më e lartë e kopshtit botanik. Për të ruajtur parkun e mrekullueshëm nevojiten ekspertë ekologë të kualifikuar. Aktualisht në Soçi ndihet mungesa e ambientalistëve profesionistë. Prandaj me përgatitjen e kuadrove do të merret Qendra e re arsimore ekologjiko-shkencore, vë në dukje Drejtori i Parkut Kombëtar të Soçit Nikollai Pinkovskij:

- Krijimi i qendrës është parashikuar në kuadrin e programit olimpik. Pas marrjes së akreditimit do të organizohet katedra, ku do të fillojnë mësimet për përgatitjen e ekologëve, të cilët do të marrin më pas çertifikata dhe licenca. Ndërkohë, duam të njihemi me punën e qendrave të tilla shkencore në rajone të tjera ruse.

Kopshti tjetër unikal botanik - “Juzhnie Kulturi” - u themelua në vitin 1910 në rajonin Adlersk të Soçit. Me projektimin e tij është marrë arkitekti dhe kopshtari i talentuar Albert Regel. Parku njihej për ndarjen e pazakontë në sektorë, stilin origjinal arkitekturor dhe florën unikale. Ai dallohej për kompozimet e veta të gjelbëra të pazakonta. Këtu kanë ekzistuar dhe këndi i kopshtit të rregullt francez si në Versajë, edhe pellgjet e mbuluara me zambakë uji, si të sjellë nga Amsterdami, edhe sekuoja amerikane e përtej oqeanit. Për të kënaqur syrin me këto mrekulli në parkun “Juzhnie Kulturi” gjithmonë ka patur shumë vizitorë. Por në vitet ‘90 parku u la pas dore. Përpjekjet e ekologëve vullnetarë të Soçit për të ruajtur pasuritë e tij nuk dhanë rezultat. Tani parkun “Juzhnie Kulturi” e ka marrë nën kujdestari Ministria e Burimeve Natyrore. Pas rindërtimit kopshti botanik do të hapë dyert e veta jo vetëm për banorët e Soçit, por edhe për vizitorët e pjesëmarrësit e Lojrave Olimpike të vitit 2014, meqenëse ndodhet vetëm disa hapa larg objekteve olimpike.

Tatiana Dollgova