0Fatmirësisht nga diplomatët askush nuk u lëndua, por numri i viktimave mund të kishte qenë shumë më i madh po të merren parasysh përmasat e sulmeve të koordinuara.

Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai ka kritikuar NATO-n për faktin se Aleanca nuk mundi të parandalojë dot këtë sulm të militantëve, i cili vlerësohet si më i fuqishmi për 10 vitet e fundit, mbi Kabulin. Zbulimi i natovianëve nuk ia doli dot mbanë detyrës së vet, në një kohë kur forcat afgane të sigurisë arritën të zmbrapsin me sukses sulmin mbi kryeqytetin e vendit. Kjo do të thotë se populli është në gjendje të mbrojë vetë vendin e tij, thuhet në deklaratën e Zyrës së Hamid Karzai.

Inkursioni i militantëve ndodhi një muaj para samitit të NATO-s në Çikago, ku do të bashkërenditet përfundimisht plani për transferimin forcave afgane të sigurisë të kontrollit të situatës në Afganistan. Nën një këndvështim të tillë dhe duhet perceptuar deklarata e Karzait, thotë eksperti orientalist i Universitetit Ushtarak rus Oleg Kullakov:

- Karzai i mban ison linjës së përgjithshme të NATO-s, se forcat afgane të sigurisë janë tashmë të gatshme për t’iu përgjigjur në mënyrë të pavarur sfidave të opozitës. Përsa i përket deklaratës se puna e shërbimit të inteligjencës lë shumë për të dëshiruar, kjo nuk është aspak kështu: dihet se njerëzit u fshehën që para fillimit të sulmeve. Duket në mënyrë krejtësisht evidente se ishte bërë një punë paralajmëruese apriori.

Kurse qëllimi i sulmeve konsiston në vetë faktin, se militantët duan të kujtojnë mbi ekzistencën e vet, duke ndjerë, me sa duket, se nuk kanë asnjë të ardhme politike në vend, vazhdon Oleg Kullakov:

- Situata aktualisht paraqitet e tillë: në përbërjen e atyre që do të përcaktojnë fatin e mëtejshëm të vendit nuk ka vend për talebanët. Ata e luajtën rolin e vet në vitet ’90. Ndërsa ajo zhurmë e bujë që u ngrit tani rreth tyre nuk është gjë tjetër veçse fryt i punës së po atyre strukturave që gjoja kritikon Karzai. Tentativa për t’i paraqitur talebanët si forcën kryesore kundërshtare nuk i leverdis vetëm regjimit të Kabulit, por edhe vetë NATO-s. Sepse në qoftë se talebanët nuk njihen si opozita kryesore, atëhere është krejtësisht e pakuptueshme se çfarë bëjnë në përgjithësi në këtë vend natovianët.

Fjalët e Karzait përcjellin një mesazh disi tjetër, mendon orientalisti rus Sergei Druzhillovskij:

0- Unë nuk jam aspak i prirur të mendoj se Afganistani është i gatshëm të marrë tani mbi vete të gjitha problemet që kanë të bëjnë me garantimin e sigurisë. Nga ana tjetër, situata e forcave ndërkombëtare shkakton mjaft pikëpyetje. Amerikanët janë mbyllur në baza të mëdha ushtarake në këtë vend dhe nuk ndërmarrin përpjekje aktive për të shtypur talebanët. Madje në të kundërtën, përpiqen të angazhohen në dialog me rebelët. Mendoj se Hamid Karzai dëshiron të marrë përgjigje në lidhje me disa pyetje: Çfarë kanë ndërmend të bëjnë më tej amerikanët? Për sa kohë do të qëndrojnë ata në vend dhe në cilësinë e kujt?

Boris Pavlishiev