0Përfaqësuesit e komiteteve olimpike nga më shumë se 200 vende, si dhe Ministrat e Sportit nga 170 shtete u ftuan në Pallatin e Madh të Kremlinit. Presidenti Dimitri Medvediev vuri në dukje simbolikën e vetë faktit që për diskutimin e çështjeve kyçe të zhvillimit të sportit u zgjodh pikërisht Moska. Rusia ka qenë ndër nismëtaret e lëvizjes olimpike, ndërsa në vitin e fundit 100-vjetorin e vet e kremtoi Komiteti Olimpik Kombëtar.

Sot në vend po i kushtohet një vemendje e madhe zhvillimit të fizkulturës dhe sportit. Kryetari i shtetit kujtoi se në vitin 2009 në Soçi me mbështetjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) u themelua Universiteti Olimpik Ndërkombëtar Rus, i cili duhet të shndërrohet në qendër arsimoro-shkencore botërore për përgatitjen e specialistëve në fushën e menaxhimit sportiv. Dimitri Medvediev theksoi gjithashtu, se në vitet vitet e ardhshme Rusia do të presë një numër të madh aktivitetesh sportive, duke përfshirë Universiadën në Kazan, Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi dhe Kampionatin Botëror të Futbollit.

- Por qëllimi ynë sigurisht nuk janë vetëm rekordet, vetëm medaljet. Pikësynimi i çdo shteti konsiston në atë, që nëpërmjet arritjeve të suksesshme, luftës së ndershme, bukurisë dhe estetikës së sportit të tërheqë vemendjen e miliona fëmijëve dhe adoleshentëve, që ata t’i përkushtohen kulturës fizike, respektimit të mënyrës së shëndetshme të jetesës. Kjo është e rëndësishme për brezin në rritje, për zhvillimin harmonik të tij.

Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rogge nga ana e tij ka deklaruar se KON e vlerëson shumë vemendjen e madhe që autoritetet ruse i kushtojnë sportit në nivel kombëtar dhe botëror. E gjithë kjo e bën Rusinë një nga vendet më me ndikim në arenën sportive ndërkombëtare, theksoi ai:

0- Ju keni krijuar një reputacion të shkëlqyer në organizimin e shumë evenimenteve sportive ndërkombëtare. Sigurisht, evenimenti më i pritur sportiv nga e gjithë Rusia janë Lojrat Olimpike të vitit 2014 në Soçi. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar është mëse i bindur se Lojrat Olimpike Dimërore 2014 në Soçi do të zhvillohen në nivelin më të lartë. Ne shprehim mirënjohjen tonë për bashkëpunimin e mirë midis Komitetit Organizativ, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe Qeverisë.

Svetllana Kallmikova