0Një ndër objektivat kryesore të Stollipinit ishte rritja e aftësisë konkurruese të bujqësisë ruse. Në vitin 1910, gjatë fjalës së marrë në Duma, ai u shpreh si vijon: “Nuk është toka ajo që duhet të zotërojë njeriun, por njeriu të zotërojë tokën. Dhe për sa kohë që toka nuk do t’i nënshtrohet punës së lirë por asaj  të detyruar, toka jonë nuk do të jetë në gjendje për të përballuar konkurrencën me tokat e fqinjëve tanë”.

Për të qenë të drejtë e për të mos i hyrë në hak askujt duhet të vemë në dukje, se Stollipin nuk ishte ithtari i parë i zhvillimit të pronësisë private fshatare në fshatin rus. Po për këtë pat folur edhe paraardhësi i Stollipinit, Konti (rus. граф (graf) Sergei Vitte, por ai nuk pati forca e mundësi që të kapërcente inercinë e aparatit burokratik. Vetëm Stollipin, i cili në kushtet e revolucionit të parë rus mori faktikisht nga Cari carte blanche për kryerjen e reformës, duke treguar një energji të madhe gjatë zbatimit të kursit të vet, arriti rezultate të ndjeshme, fort të rëndësishme.

Nga 13.5 milionë ekonomitë ekzistuese fshatare, tokë arritën të marrin në pronësi private (individuale) vetëm rreth gjysmë milioni. Por 8 vjet pas fillimit të reformës, në vitin 1916, fshatarët mbillnin në tokën e vet apo atë të marrë me qira 89.3% të gjithë sipërfaqeve bujqësore dhe kishin në pronësi 94% të kafshëve bujqësore. Dhe kjo pavarësisht nga fakti se në vitin 1914, pas fillimit të Luftës së Parë Botërore, reformat detyrimisht u ndërprenë.

Duke mbrojtur paprekshmërinë, bazën e qëndrueshme të pronës private, Stollipin kundërshtonte vendosmërisht madje dhe nacionalizimin (shtetëzimin) e pjesshëm të tokave të çifligarëve. Ai besonte se për dy dekada toka në mënyrë krejtësisht të natyrshme do të kalonte nga pronarët joefikasë tek ata të suksesshëm, gjë kjo që do të ulte si rezultat tensionet sociale në fshat - dhe zhvillimet ekonomike vërtetuan se logjika e tij ishte plotësisht e drejtë.

Përveç kësaj, një pjesë e ekonomive bujqësore të çifligarëve përfaqësonin në vetvete ndërmarrje mjaft të suksesshme, ku aplikoheshin teknologjitë më të përparuara (sigurisht për kohën e vet), shkatërrimi të cilave mund t’i shkaktonte dëm të madh prodhimit bujqësor.

Por këto arsyetime racionale binin ndesh me ëndrrën shekullore të fshatarësisë për ndarjen e tokës midis të gjithëve në mënyrë të barabartë. Ndërsa fshatarët më aktivë, të cilët përfituan nga reforma e Stollipinit për të zgjeruar ekonomitë e veta bujqësore, shumë shpesh provokonin lindjen e armiqësisë mes tyre dhe fshatarëve të tjerë me aktivitet më pak të suksesshëm.

Tensioni në fshat po vinte duke u përshkallëzuar, dhe si pasojë, kur në vitin 1917 në pushtet në Rusi erdhën bolshevikët dhe deklaruan mbi shtetëzimin e të gjitha tokave private (duke përfshirë edhe ato të fshatarëve, të marra si rezultat i aplikimit të reformës së Stollipinit), ata siguruan mbështetjen e shumicës së fshatarësisë.

0Megjithatë, përvoja e reformës agrare të Stollipinit vazhdon të ruajë aktualitetin e vet edhe sot e kësaj dite. Dhe, jo më pak i vlefshëm se rëndësia ekonomike, është kuptimi social dhe politik i saj. Pjotër Stollipin ishte mëse i bindur, se zhvillimi i iniciativës private do t’i shërbejë zgjerimit të lirive politike. Për një vend agrar shtresa masive e pronarëve të vegjël duhej të bëhet bazë për formimin e klasës së mesme - jo vetëm “konsumatore të stabilitetit”, por dhe mbështetëse të ndryshimeve evolucionare.

Aleksei Makarkin