0Duke i dhënë fjalën Kryeministrit rus, Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Zhak Rozhe vuri në dukje, se Vladimir Putin njihet nga të gjithë si njeri shumë i apasionuar pas sportit. Ai personalisht dhe qeveria ruse i kushtojnë një vemendje jashtëzakonisht të madhe zhvillimit të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, theksoi Kreu i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON). Në vitin 2007, kryesisht falë mbështetjes aktive të Vladimir Putinit, Rusia fitoi të drejtën për të pritur Lojrat Olimpike Dimërore në Soçi. Duke marrë fjalën përpara pjesëmarrësve të Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Komiteteve Olimpike Kombëtare Putin vuri në dukje se Rusia do të vazhdojë edhe më tej të japë kontributin e vet në zhvillimin e lëvizjes olimpike:

- Rusia, e cila në nëntor të vitit të kaluar kremtoi 100-vjetorin e pjesëmarrjes së vet në lëvizjen olimpike, e kupton për mrekulli rëndësinë e misionit humanitar të sportit, rolin e tij kolosal në jetën e çdo njeriu dhe vendeve të tëra. Duhet pranuar se etapa aktuale e zhvillimit të qytetërimit, për fat të keq për të gjithë ne, është shumë larg nga ajo që mund të quhet stabile. Konfliktet rajonale, intoleranca sociale, etnike, fetare - të gjitha këto fenomene janë të mbarsura me rreziqe serioze globale. Dhe prandaj, në këtë sfond, bëhet akoma dhe më e madhe rëndësia e lëvizjes olimpike, e cila propagandon tolerancën e miqësinë, parimet e lojës së ndershme dhe respektin reciprok.

Në vitet e ardhshme në Rusi do të zhvillohen aktiviteteve të mëdha sportive, të tilla si Kampionati Botëror i Atletikës së Lehtë, Lojrat Botërore Studentore në Kazan, Lojrat Olimpike në Soçi, Kampionatet Botërore të Notit dhe Hokeit. Në lidhje me këtë Vladimir Putin tha se do të bëhet gjithçka e mundur me qëllim që këto dhe aktivitete të tjera sportive, të cilat i janë besuar Rusisë, të organizohen në nivelin më të lartë. Ai theksoi se përgatitja për to po shfrytëzohet njëkohësisht edhe për zhvillimin social dhe ekonomik të rajoneve të vendit:

- Përgatitja për Universiadën në Kazan ia ka ndryshuar në mënyrë të qenësishme fizionominë këtij qyteti të lashtë. Janë ndërtuar dhjetra objekte krejtësisht të reja bashkëkohore: rrugë, objekte infrastrukture, stadiume të tilla, të cilat, e them sinqerisht, shumë nga qytetarët tanë i kanë parë deri tani vetëm në filma apo në fotografi. Aktualisht të gjitha këto objekte qytetarët kanë mundësi t’i gëzojnë, edhe brezat e ardhshëm do të mund t’i përdorin ato. Nëse do të flasim për Soçin, dua të them se ne po shpenzojmë atje mjete të konsiderueshme financiare, por megjithatë gati 80% e tyre përdoren ekskluzivisht për zhvillimin e këtij rajoni, para së gjithash, për zhvillimin e infrastrukturës së tij.

0Vladimir Putin i ftoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në Lojrat Olimpike dhe forume të tjera të mëdha sportive ndërkombëtare. Ai u propozoi gjithashtu atyre për të mbajtur mbi një bazë të rregullt Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës së Komiteteve Olimike Kombëtare në Moskë.

Svetllana Kallmikova