0Tarkovskit u bë i njohur, kryesisht, jashtë kufijve të Rusisë, siç pat ndodhur jo vetëm njëherë në historinë e kulturës ruse. Secili prej filmave të tij, duke filluar me debutimin e “Fëmijërisë së Ivanit” (mbi fatin e një vogëlushi në luftë), e duke mbaruar me filmin fabulesk “Flijimi”, ka marrë nga një deri në dhjetë çmime nëpër festivalet ndërkombëtare të filmit. Ka fituar edhe “Luanin e artë” në Venecia, edhe “Palmën e argjendtë” në Kanë.

Të shtatë filmat me metrazh të plotë, midis të cilëve edhe kryevepra të tilla, si drama historiko-religjioze “Andrei Rublov”, tabloja fantastiko-filozofike “Solaris”, fantazia autobiografike “Pasqyra”, janë trashëgimia bazë e Andrei Tarkovskit. Ndoshta, kjo trashëgimi do të ishte më e madhe, nëse ky regjisor nuk do të kishte një afat të prerë të jetës së tij të shkurtër, gjithsej 54 vjeçare. Por më e rëndësishmja është ajo - thoshte Tarkovskij me zjarr - nëse në kohën e lulëzimit të krijimtarisë do të kishte marrë mbështetje në vend të kundërvënies dhe helmit të shfrehur hapur, nga ana e burokratëve të kinematografisë sovjetike. Ja ç’kujton motra e regjisorit, filologia dhe memuaristja Marina Tarkovskaja:

- Në çdo film ai i mbeti besnik vetvetes, pa marrë parasysh ato vështirësi të pabesueshme që përjetoi, me atë presion ideologjik, nën të cilin binte, kur xhironte, pothuaj, çdo film të bërë në BS. Ai ishte një artist luftëtar, që mbronte krijimin e tij. Dhe ajo që të mahnit është, se ai arriti të bëjë, pikërisht, ata filma që kish i kish menduar thellë.

Në një intervistë për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” regjisori i njohur Pavell Lungin shprehet:

- Tarkovskij ishte një shpikës i një gjuhe të re kinematografike dhe jo vetëm. Ai kërkoi të transformonte në mënyrë vizuale atë që quhet “shpirti i njeriut”. Pikërisht, me atë që ishte marrë letërsia klasike ruse e shek.XIX, u morr edhe ai në shekullin e XX në nivelin e kinematografisë. Por ai ishte, gjithashtu, simbol i lirisë së krijimit. Ishte i pari regjisor sovjetik, i cili e vuri lirinë e artistit në krye të vendit. Në kërkim të lirisë krijuese ai u largua jashtë shtetit, u largua me një peshë të rëndë në shpirt e pa lumturi dhe vdiq atje, pasi kish bërë dy filma të shkëlqyer. Kjo është një figurë tragjike dhe, mbase, regjisori më i thellë rus i shekullit të XX.

“Çdo artist, - ka thënë Andrei Tarkovskij në intervistën e tij të fundit, - gjatë kohës së gjallimit të tij mbi dhé, gjen dhe lë pas vetes një pjesëz të së vërtetës mbi civilizimin, mbi njerëzimin”.

Olga Bugrova, Natalia Viktorova