0Aktualisht e detyrueshme për sportistin është vetëm bërja rregullisht e analizës së gjakut. Ndërkohë, teknologjitë e dopingut po zhvillohen me shpejtësi, ekzistojnë preparate, të cilët është e pamundur të pikasen në gjak. Pikërisht, për këtë arësye, moduli steroid do të futet në pasaportën biologjike të secilit pjesëmarrës të garave të forta. Specialistët do të mbikëqyrin tabllonë hormonale, ndërsa çdo shmangie nga norma do të cilësohet si shenjë e shkeljes së mundshme për një lojë të ndershme, tregon Zv.drejtori i Qendrës së Risive Teknologjike Sportive pranë Departamentit të Kulturës Fizike dhe Sporteve të Moskës Igor Vihodjec:

- Gjatë gjithë vitit mbi sportistin do kryhen kontrolle për doping në një masë të caktuar dhe do të krijohen profile të steroideve dhe ato hematologjike. Rezultatet do të fiksohen në një program special, të cilin e analizojnë ekspertët. Nëse do të ndodhë ngritje e menjëhershme e hemoglobinës, atëherë sportisti ose po stërvitet në kushte të pazakonta, ta zemë në lartësinë e maleve, ose ka marrë preparate të ndaluara. E njëjta gjë i përket edhe steroideve. Ka shumë sportistë, tek të cilët niveli i testosteronit është i lartë për nga natyra. Për shembull, mundësit tanë që vijnë kryesisht nga Kaukazi i Veriut. Ata e kanë vetvetiu të lartë nivelin e testosteronit.

Kohët e fundit gjithnjë e më shpesh po merren dopingë në formë gjenesh, të cilët rrisin aftësinë për punë. Sakaq, ndodhin mutacione të pakorrigjueshme, të cilët nga njëra anë japin shansin për fitore, por nga ana tjetër rrisin rrezikun për shëndetin. Në më të shumtën e rasteve kontrolli për ndryshimin në nivel gjenetik kryhet me ndihmën e analizës së urinës. Por, ndonjëherë, ndryshimet në organizëm zhvillohen kaq ngadalë, saqë pikasja e tyre bëhet e mundur vetëm nëpërmjet një vëzhgimi të gjatë dhe pikërisht për këtë nevojitet pasaporta hormonale.

Madje, vitaminat, proteinat dhe komplekset minerale mund të veprojnë mbi organizmin e sportistit si doping, nëse doza e preparateve rritet qëllimisht, gjë kjo e rrezikshme për shëndetin. Ka edhe një problem tjetër, që për hir të fitores, dopingje të tilla “të lejueshme” u jepen fëmijëve. Si rezultat, në gara të ndryshme për të rinj ata fitojnë, por në sportin për të rritur nuk tregojnë rezultate edhe aq të mira.

Çdo vit që kalon, bëhet gjithnjë e më e vështirë të maskohet marrja e preparateve të ndaluara, kurse vetë dopingjet po bëhen gjithnjë e më shumë të rrezikshëm për shëndetin. Në grupin e riskut futen sportistët e atletikës së rëndë, gjimnastët, notarët, patinatorët dhe skiatorët. Pikërisht, atyre u bie që në mënyrë artificiale të rrisin rendimentin e punës së organizmit, për t’i bërë ballë ngarkesave tepër të mëdha.

Aleksandra Zaharova