0Ata u takuan dhe ranë në dashuri me shoshoqin. Por filloi lufta, që i hodhi në anët e kundërta të linjës së frontit. Fati e donte, që vajza boshnjake të binte në kampin e pengjeve të luftës, ku sërish e takoi atë. Vetëm se tani ata ishin armiq. Kjo është intriga e dramës kinematografike, xhiruar nga Anzhelina Zholi.

Ky nuk është aspak një film për zonja, por i përmbytur me skena dhune. Të gjitha tmerret e luftës civile i përplasen syve shikuesit, pothuaj që në minutat e para. Ky film i artistes me famë botërore, meqë ra fjala, edhe ambasadore e vullnetit të mirë të OKB-së, ka ngjallur protesta në të dy anët e konfliktit. Përfaqësueset e shoqatave të grave boshnjake, viktima të luftës, janë drejtuar me ankesa në OKB, duke e akuzuar Zholinë, për romantizim fyes, sipas tyre, të marrëdhënieve midis përdhunuesve dhe viktimave, ndërsa serbët e quajtën filmin fare të gënjeshtërt, jo objektiv dhe refuzuan shfaqjen e tij. Po çfarë mendojnë rusët për këtë film? “Anxhelina Zholi ka zgjedhur një pozicion standart në përfytyrimin e mediave botërore: boshnjakët-viktima dhe serbët-shtazë; prandaj reagimi i Serbisë, ku filmin e pritën me këmbët e para, është mëse i kuptueshëm”,- tha në intervistën për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” kritikja e kinematografisë Irina Pavllova:

- Kohët e fundit kam kaluar shumë kohë në Ballkan. Jam shoqëruar me njerëzit dhe kam parë gjurmët e luftës. Dhe sakaq e kuptoj mjaft mirë se ç’do të thotë luftë civile, ne rusët në lidhje me këtë kemi një kujtesë gjenetike. Në këtë histori nuk ka të drejtë dhe fajtorë, ndërsa po të marrësh parasysh nëntekstin, se nuk kishim vetëm luftë civile, por edhe konflikt religjioz, atëherë, në këtë punë, përgjithësisht, nuk mund të mbetesh indiferent. Me temën e luftës ballkanike, sipas mendimit tim, janë xhiruar dy filma të mëdhenj, “Tokë e askujt” e Danis Tanoviçit dhe “Para se të bjerë shi” të Millço Mançevskit. Njëri ka marrë çmimin “Oskar”, tjetri Grand Prize, të Festivalit të Filmit në Venecia. Dhe këta janë absolutisht filma të saktë. E kuptoj, që Anzhelina Zholi i ka bërë të vetat, si subjekt, tragjeditë njerëzore. Dhe nuk mund ta gjykoj atë si njeri për pozicionin e marrë, mbasi qëllimet kanë qenë nga më fisniket. Por filmi doli të ishte, si ta themi, as për t’u skuqur e as për t’u nxirë faqja, por edhe ta quash të arrirë nuk bën.

“Duhet të jesh shumë i guximshëm, që të fillosh karrierën regjisoriale më këtë temë të tmerrshme dhe kaq kontradiktore,- shton kritikja e kinematografisë. - E megjithatë, nëse njeriu dëshiron të mësojë diçka mbi këtë luftë, më mirë të shikojë filma të fuqishëm, të tillë si “Tokë e askujt” apo “Para se të bjerë shi”.

Karina Ivashko